Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka njoftuar se gjatë kontrolleve janë zbuluar lidhje ilegale në ujësjellës.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të realizuara janë gjetur 8 lidhje ilegale në Hajvali, 5 lidhje ilegale në Bërnicë, 4 lidhje ilegale në Llukar.
Tutje thuhet se kjo që po ndodh është më shumë se e tmerrshme.
“Lidhjet ilegale shkaktojnë humbje të mëdha të ujit, dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin e rregullt të konsumatorëve që paguajnë shërbimin”, thuhet në njoftim.
“Kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe ndaj të gjithë personave që kryejnë kyçje ilegale do të ndërmerren masat e parapara me ligj”, thuhet tutje në njoftim.

