Anglia dhe Argjentina do të masin forcat mbrëmjen e sotme në Atlanta, në një përballje që do të përcaktojë finalistin e dytë të Kupës së Botës 2026. Takimi shënon duelin e parë mes dy kombëtareve që nga viti 2005 dhe rikthen në skenë një nga rivalitetet më të mëdha në historinë e futbollit ndërkombëtar. Ndeshja, e cila nis në orën 21:00 transmetohet drejtëpërdrejt në RTK.
Historia e ndeshjeve mes Anglisë dhe Argjentinës ka qenë gjithmonë e mbushur me emocione, ndërsa rivaliteti mes tyre është ndikuar jo vetëm nga përballjet sportive, por edhe nga ngjarje historike që kanë forcuar tensionin mes dy vendeve.
Kampionia në fuqi, Argjentina, e drejtuar nga Lionel Scaloni, ka kaluar një rrugëtim sfidues drejt gjysmëfinales. Pasi kryesoi Grupin J, skuadra amerikano-jugore hasi vështirësi në fazën me eliminim direkt, duke kaluar pas kohës shtesë ndaj Kepit të Gjelbër dhe Zvicrës. Në 1/8 e finales, argjentinasit përmbysën disavantazhin 2-0 ndaj Egjiptit për të siguruar vazhdimin e garës.
Në anën tjetër, Anglia e drejtuar nga Thomas Tuchel ka shfaqur një performancë më të qëndrueshme gjatë turneut. “Tre Luanët” kanë dëshmuar organizim dhe karakter në momentet vendimtare, edhe pse vlerësohet se skuadra ende nuk ka arritur nivelin maksimal të lojës së saj.
Ndeshja, e cila nis në orën 21:00 në Atlanta, pritet të jetë një nga sfidat më spektakolare të këtij Botërori, me të dyja kombëtaret që synojnë kualifikimin në finalen e madhe.
Formacionet e mundshme
Anglia (4-2-3-1): Pickford; Konsa, Stones, Guehi, O’Reilly; Anderson, Rice; Saka, Bellingham, Gordon; Kane.
Argjentina (4-4-2): Emiliano Martínez; Molina, Romero, Lisandro Martínez, Tagliafico; Simeone, Mac Allister, Paredes, Enzo Fernández; Messi, Julián Álvarez.

