Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se aktualisht po trajton raste të dyshuara të helmimit nga ushqimi, ku deri më tani janë hospitalizuar 31 pacientë.
Sipas njoftimit, gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik 2026, rreth 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore urgjente në këtë klinikë. Pas analizave laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis.
QKUK ka bërë të ditur se pacientët e shtruar po marrin trajtimin e nevojshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore është në përmirësim.
Në mesin e rasteve të trajtuara janë edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit, të cilët kanë paraqitur simptoma të ngjashme. Sipas deklarimeve të pacientëve, dyshohet se numri i personave që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion mund të jetë më i madh.
Stafi mjekësor po vazhdon ekzaminimet dhe monitorimin e pacientëve, ndërsa autoritetet shëndetësore po punojnë për identifikimin e burimit të infeksionit.
Klinika Infektive u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes me konsumimin e ushqimeve, veçanërisht produkteve të shpejta gjatë temperaturave të larta, dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në rast të simptomave si të vjella, diarre, temperaturë apo dhimbje të forta barku.

