Spanja është kampionia e re e botës. “Furia e Kuqe” triumfoi ndaj Argjentinës me rezultat minimal 1:0 pas vazhdimeve, në finalen e Kupës së Botës 2026, duke fituar titullin e dytë botëror në historinë e saj.
Pas një ndeshjeje të dominuar nga spanjollët, ku koha e rregullt përfundoi pa gola, fati i finales u vendos në minutën e 106-të të vazhdimeve. Ferran Torres shfrytëzoi një moment të artë dhe realizoi golin që vulosi triumfin e spanjollëve.
Spanja dominoi pjesën më të madhe të takimit, duke kontrolluar ritmin e lojës dhe krijuar më shumë raste për shënim. Megjithatë, mbrojtja e Argjentinës dhe portieri Emiliano Martinez rezistuan gjatë 90 minutave të rregullta, duke bërë që finalja të shkonte në kohën shtesë.
Në anën tjetër, Argjentina e Lionel Messit tentoi të godiste me kundërsulme, por nuk arriti të krijonte raste të mjaftueshme për të rrezikuar seriozisht portën e Unai Simon.
Goli i Ferran Torresit rezultoi vendimtar, ndërsa skuadra e Luis de la Fuente administroi me qetësi minutat e mbetura, duke mos lejuar rikthimin e kampionëve në fuqi.
Me këtë fitore, Spanja rikthehet në majën e futbollit botëror 16 vjet pas triumfit të parë në Afrikën e Jugut më 2010 dhe fiton për herë të dytë Kupën e Botës.
Për Argjentinën, kjo finale shënon fundin e ëndrrës për të mbrojtur titullin botëror.
Torres shënon, Spanja në epërsi
(E përditësuar, 23:46)-Spanja ka kaluar në epërsi ndaj Argjentinës në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.
Ishte Ferran Torres, i cili në lojën shtesën, në minutën e 107 realizoi për epërsinë e ‘Furisë së Kuqe’.
Pa gola pas 90 minutave, finalja e Botërorit shkon në vazhdime
(E përditësuar, 23:17)-Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës nuk ka nxjerrë fitues pas kohës së rregullt, me sfidën që është mbyllur 0:0 dhe do të vazhdojë me dy pjesë shtesë prej 15 minutash.
Spanja ishte skuadra më dominuese gjatë 90 minutave, duke kontrolluar lojën dhe krijuar më shumë raste për shënim. “Furia e Kuqe” regjistroi 13-të tentime drejt portës, por nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës përballë një Argjentine të organizuar në mbrojtje.
Nga ana tjetër, kampionët në fuqi u përqendruan kryesisht në mbrojtje dhe tentuan të rrezikonin me kundërsulme, por pa krijuar raste të shumta të pastra.
Pavarësisht dominimit të Spanjës, rezultati mbeti i pandryshuar, ndërsa portierët dhe repartet mbrojtëse të të dyja skuadrave zhvilluan një ndeshje të kujdesshme.
Me trofeun ende të pambyllur, finalja do të vendoset në vazhdime, ku Spanja dhe Argjentina do të kenë edhe 30 minuta për të kërkuar golin që mund t’i shpallë kampionë të botës.
Argjentina në lojë në vazhdime do të jetë më një lojtar më pak në terren pasi Enzo Fernandez u largua nga loja më karton të kuq në finish të kohës së rregullt të kësaj sfidë.
Nëse barazimi vazhdon edhe pas kohës shtesë, fituesi do të përcaktohet përmes ekzekutimit të penalltive.
Spanjë-Argjentinë, kështu mbyllet pjesa e parë
(E përditësuar, 21:56)-Ka përfunduar pjesa e parë e finales së Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, me rezultatin e bardhë 0:0.
Përballja që po zhvillohet në stadiumin “New York/New Jersey Stadium” në East Rutherford ka qenë e luftuar, por me pak raste të pastra shënimi gjatë 45 minutave të parë.
Spanja pati më shumë kontroll të lojës dhe qarkulloi më mirë topin, duke kërkuar të krijojë hapësira në mbrojtjen argjentinase. Megjithatë, skuadra e Luis de la Fuente nuk arriti të konkretizojë dominimin territorial me raste të rrezikshme.
Nga ana tjetër, Argjentina u tregua e kujdesshme në fazën mbrojtëse dhe tentoi të godasë me kundërsulme, por edhe ekipi i Lionel Scalonit nuk arriti të rrezikojë seriozisht portën kundërshtare.
Si rezultat, dy skuadrat shkuan në pushim me rrjetat e paprekura, duke lënë gjithçka të hapur për 45 minutat e mbetur të finales.
Nis finalja e madhe e Botërorit 2026, LIVE në RTK
Ka nisur finalja e madhe e Kupës së Botës 2026, ku Spanja dhe Argjentina po përballen në stadiumin “New York/New Jersey Stadium” në East Rutherford për të përcaktuar kampionin e ri të botës.
Sfida e shumëpritur ka filluar në orën 21:00 dhe po transmetohet drejtpërdrejt në RTK, me dy prej kombëtareve më të forta të turneut që kërkojnë trofeun më prestigjioz në futboll.
Spanja vjen në aktin final me një paraqitje mbresëlënëse gjatë gjithë Botërorit. Kampionët në fuqi të Evropës kanë ndërtuar suksesin mbi një organizim të jashtëzakonshëm, veçanërisht në fazën defensive, duke pësuar vetëm një gol në të gjithë turneun. Në rrugën drejt finales, skuadra e Luis de la Fuente ka eliminuar Portugalinë, Belgjikën dhe Francën, duke imponuar stilin e saj të lojës me kontroll të madh të topit dhe dominim në mesfushë.
Në anën tjetër, Argjentina ka përjetuar një rrugëtim më dramatik drejt finales. Kampionët në fuqi kanë treguar karakter dhe përvojë në momentet vendimtare, duke fituar disa sfida falë golave të vonshëm dhe qetësisë në situata presioni. Skuadra e Lionel Scalonit ka dëshmuar edhe një herë forcën mentale, duke mbetur një ekip që di të reagojë në momentet më të rëndësishme.

