Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka vizituar punimet e gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut, ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.
Isufaj ka thënë se gërmimet kanë nisur dhe ka falënderuar të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces, veçanërisht Policinë e Kosovës, prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe ekipin e Mjekësisë Ligjore.
“Gërmimet janë nisur. Dua ta shfrytëzoj rastin t’i falënderoj Policinë e Kosovës për një punë të madhe që ka bërë, kolegët e mi, prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe stafin. Falënderim i veçantë shkon edhe për ekipin e Mjekësisë Ligjore, i cili po bën një punë shumë profesionale në identifikimin e mbetjeve mortore, për të cilat deri tani është vërtetuar se janë me origjinë njerëzore”, ka deklaruar Isufaj.
Ai ka theksuar se procesi i identifikimit mund të zgjasë dhe se kërkon respektim të standardeve profesionale, pasi identifikimi përfundimtar do të bëhet përmes analizave të ADN-së.
“Ky proces mund të zgjasë. Nuk mund të themi se kur do të përfundojë, pasi identifikimi kërkon kohë dhe standarde të caktuara. Mbetjet nuk mund të tërhiqen lehtë, pasi paraprakisht duhet të bëhet rikonstruktimi i trupit të njeriut dhe më pas të dërgohen në Mjekësinë Ligjore për procedurat e tjera”, ka thënë ai.
Kryeprokurori ka garantuar se Prokuroria Speciale do ta trajtojë rastin me profesionalizëm, paanshmëri dhe pavarësi, duke respektuar viktimat dhe familjarët e tyre.
“Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura shumë profesionale, të paanshme dhe të pavarura, me qëllim respektin ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre”, është shprehur Isufaj.
Ai ka bërë thirrje për kujdes në deklarimet publike, duke paralajmëruar se informacionet e parakohshme mund të dëmtojnë hetimet.
“U bëj thirrje të gjithë komunitetit që të mos deklarohemi shumë për këtë rast, pasi ende jemi në fazën preliminare. Deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin hetimor dhe mund të ndikojnë në rezultatin final”, ka shtuar ai.
Isufaj ka bërë të ditur se punimet në këtë lokacion po zhvillohen me intensitetin e duhur dhe ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion të ndjeshëm.

