Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet S.M., i dyshuar për veprën penale “Grabitja”, pasi dyshohet se nën kërcënimin e një thike i ka marrë para një qytetari në hyrje të banesës së tij.
Sipas Prokurorisë, ndaj të dyshuarit është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Sipas dosjes së hetimit, ngjarja ka ndodhur më 2 gusht 2026, rreth orës 01:30, në hyrje të një ndërtese pranë dyqanit “V…”, në Gjakovë. Dyshohet se S.M. i është afruar viktimës A.M. teksa po hynte në banesën e tij dhe, fillimisht, i ka kërkuar t’ia dorëzojë të gjitha paratë që kishte me vete.
Kur viktima ka refuzuar, i dyshuari dyshohet se ka nxjerrë një thikë, ia ka drejtuar në bark dhe e ka kërcënuar, duke e detyruar fillimisht t’i dorëzojë 20 euro. Më pas, nën kërcënime të vazhdueshme, viktima i ka dhënë edhe 30 euro të tjera.
Prokuroria thotë se kur i dëmtuari ka tentuar të largohej, i dyshuari e ka kapur për qafe për ta penguar. Viktima ka arritur të shkëputet dhe të ikë me vrap, ndërsa i dyshuari e ka ndjekur. Në atë moment ka ndërhyrë një dëshmitare, e cila e ka ndaluar të dyshuarin.
Para se të largohej nga vendi i ngjarjes, S.M. dyshohet se e ka kërcënuar sërish viktimën me fjalët: “Ti ke me e pagu shtrenjtë këtë, ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon”.
Pas raportimit të rastit në polici dhe veprimeve operative të zyrtarëve policorë, i dyshuari është arrestuar. Ai ndodhet në ndalim 48-orësh që nga 3 gushti, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
S.M. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Grabitja”, sipas nenit 317, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

