Kombëtarja e Kosovës në hendboll për meshkuj ka zhvilluar të dielën mbrëma ndeshjen e parë në kuadër të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Në qytetin e Fasanos, hendbollistët kosovarë u përballën me Italinë, por pësuan humbje me rezultat 39:23.
Italia krijoi epërsi të konsiderueshme që në pjesën e parë, e cila përfundoi me rezultatin 21:9, duke marrë kontrollin e plotë të ndeshjes. Në pjesën e dytë, vendasit vazhduan ta menaxhonin lojën dhe ruajtën avantazhin deri në fund.
Kombëtarja e Kosovës po paraqitet në Lojërat Mesdhetare me një përbërje të kombinuar. Ky grup është grumbulluar për herë të parë në këtë formacion, ndërsa mungesa e shumicës së lojtarëve të Kombëtares A, për shkak të obligimeve me klubet e tyre, ka bërë që në ekip të përfshihen edhe hendbollistë nga Kombëtarja U20.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e radhës pas dy ditësh, kur do të përballet me Egjiptin.
Sfida e fundit e fazës së grupeve për hendbollistët kosovarë do të jetë ndaj Portugalisë, të enjten.

