Filmi i cili ka bërë bujë mediatike tash e disa muaj, “Dua” po vjen në shtëpi.
Rrëfimi kinematografik kosovar i cili vjen nën regji të Blerta Bashollit, do ta ketë premierën vendore më 8 shtator në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, “PriFest”.
Dhe pikërisht ky film, i cili shpërfaq dhunën dhe represionin serb gjatë viteve të 90’ta në Prishtinë, do të jetë hapës i këtij festivali për këtë edicion.
Filmi sapo është rikthyer nga premiera rajonale në “Sarajevo Film Festival” dhe pikërisht përpara shfaqjes së filmit në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, vetë Basholli tha se ky film ka shije ndryshe për boshnjakët, meqenëse si popull edhe ata e kanë përjetuar dhunën dhe represionin serb gjatë viteve të 90’ta.
Suksesi më i madh i filmit “Dua” deri më tani e mbetet nominimi për çmimet prestigjioze të Akademia Awards, të njohura si Oscars.
Dhe pikërisht rëndësia e veçantë është se Kosova rikthehet pas tri viteve mungesë të prezantimit të filmave kosovarë në këtë ngjarje historike.
Rrugëtimin me çmime “Dua” e nisi në maj të këtij viti, pikërisht në Festivalin prestigjioz të Kanës, duke arritur që të marr Çmimin për Skenarin më të mirë të ndarë nga Java e Kritikës
Dhuna, shtypja dhe represioni serb gjatë viteve të 90’ta në Prishtinë, jetësohet në këtë film nëpërmjet syve të një 13-vjeçareje, të cilën e interpreton në rol Pinea Matoshi.
Pjesë e kastës janë edhe emra të tjerë profesionistësh, të cilët kanë rrugëtuar gjatë me skenat.
Një element i veçantë i këtij filmi është se është sulmuar nga mediat serbe, të cilat kanë provuar që ta përgënjeshtrojnë realitetin historik të Kosovës, duke e cilësuar filmin si propagandë.
Ndërkaq, të gjithë dashamirët e filmit “Dua”, do ta kenë rastin që më 8 shtator ta shohin atë në “PriFest”.

