Nga Zejdush Kastrati
PISA nuk e krijoi krizën e arsimit në Kosovë. PISA vetëm e mati dhe e nxori në dritë.
Para se të kërkojmë fajtorin në një zyrë ministrie, le ta bëjmë një skanim të shoqërisë sonë. Ta shikojmë familjen, lagjen, fshatin e qytetin ku jetojmë. Ta shikojmë shkollën ku i dërgojmë fëmijët, universitetin ku diplomojmë, akademinë ku titullohemi, institucionet ku punojmë, Parlamentin ku përfaqësohemi dhe mediat ku krijojmë opinion.
Aty është pasqyra jonë.
Kur mësuesi nuk është në nivelin që kërkon profesioni; kur në universitet ligjëron dikush i përfshirë në plagjiaturë; kur diploma blihet e meritohet vetëm në letër; kur njerëz pa përgatitjen e duhur marrin poste dhe përgjegjësi; kur titujt akademikë bëhen më të rëndësishëm se dija – çfarë rezultati tjetër kemi pritur?
Kur diploma shndërrohet në mall, universiteti në biznes, nota në favor dhe arsimi në formalitet, atëherë nuk mund të habitemi pse nxënësi del nga shkolla pa dije të mjaftueshme.
Dhe problemi bëhet edhe më i rëndë kur njerëz me kualifikime të dyshimta marrin përgjegjësi akademike, ligjërojnë, vlerësojnë studentë dhe prodhojnë kuadro të reja.
Kështu krijohet një zinxhir: injoranca prodhon injorancë, diploma pa dije prodhon diploma të tjera pa dije.
Dhe pastaj çuditemi me PISA-n!
Jo, të nderuar.
Mos ta fajësojmë vetëm ministrin.
Mos ta fajësojmë vetëm mësuesin.
Mos ta fajësojmë vetëm profesorin.
Mos ta fajësojmë vetëm sistemin.
Sistemi jemi edhe ne.
Ne e kemi toleruar nepotizmin.
Ne e kemi toleruar paaftësinë.
Ne e kemi toleruar diplomën pa dije.
Ne e kemi toleruar plagjiaturën.
Ne e kemi toleruar mediokritetin.
Dhe shumë herë i kemi duartrokitur pikërisht ata që nuk e kanë merituar duartrokitjen.
Prandaj, rezultati i PISA-s nuk është vetëm një problem i Ministrisë së Arsimit.
Është një pasqyrë e shoqërisë sonë.
Dhe pasqyra mund të mos na pëlqejë, por nuk ka faj pasqyra.
Nëse duam rezultate të tjera, duhet të ndërtojmë një shoqëri tjetër: ku dija vlerësohet, ku diploma meritohet, ku profesori respektohet për dijen e tij, ku mësuesi përzgjidhet për profesionalizëm dhe ku përgjegjësia nuk fshihet pas politikës, miqësisë apo interesit personal.
Përndryshe, do të vazhdojmë të mblidhemi pas çdo rezultati të PISA-s, të gjejmë disa fajtorë, të bëjmë disa deklarata dhe pas disa ditësh gjithçka do të harrohet.
Deri në rezultatin tjetër.
Sepse, të nderuar, ne jemi ata që vërtet jemi.
Dhe nëse nuk ndryshojmë rrënjësisht,
do të vazhdojmë të jemi po këta edhe për shumë, shumë kohë.

