Kryetari i Odës së Veterinerëve të Kosovës, DMV. Hasan Limani, ka pritur në takim përfaqësuesit e projektit “STRUCTUVET” – Erasmus+ Capacity Building, në kuadër të vizitës së tyre në Universitetin e Prishtinës.
Në takim morën pjesë prof. Manel López, koordinator i projektit nga Universiteti Autonom i Barcelonës (UAB), dhe prof. Valeria Grieco, përgjegjëse për kurrikulën në kuadër të projektit nga Universiteti i Milanos. Nga Universiteti i Prishtinës ishin të pranishëm prof. asoc. Fatgzim Latifi, koordinator i “STRUCTUVET” për UP-në, si dhe prof. dr. Blerta Mehmedi, menaxhere e projektit. Në takim ishte i pranishëm edhe Sadik Heta nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë.
Gjatë takimit u diskutua për rolin e projektit në reformimin, modernizimin dhe harmonizimin e kurrikulës së Mjekësisë Veterinare, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet OVK-së dhe universiteteve partnere evropiane.
Kryetari Limani shprehu përkrahjen e OVK-së për realizimin e objektivave të projektit duke vlerësuar bashkëpunimin me universitetet evropiane si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe shkencës veterinare.
Projekti “STRUCTUVET”, i financuar nga programi Erasmus+ Capacity Building in Higher Education, synon modernizimin e arsimit veterinar, zhvillimin e kurrikulave bashkëkohore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të institucioneve partnere në rajon. /Kosovatimes/

