Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka njoftuar se sot është mbajtur mbledhja e parë e Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Çitaku, e cila është edhe anëtare e këtij grupi, ka thënë se pjesëmarrja e përfaqësuesve të partive parlamentare shqiptare dëshmon një vetëdije të përbashkët politike, qytetare, shtetërore dhe kombëtare për rëndësinë e kësaj çështjeje.
Sipas saj, në frymën e Deklaratës së Kuvendit të 28 shtatorit, në mbledhje janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.
“Qëllimi ynë është që çlirimtarët tanë ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka bërë të ditur se, krahas hartimit të strategjisë, po vazhdon edhe angazhimi për ligjin që synon të forcojë mbrojtjen e të drejtave të çlirimtarëve të UÇK-së.
Duke theksuar se “UÇK-ja na bashkon”, Çitaku ka vlerësuar se mbrojtja e së vërtetës së luftës çlirimtare, e vlerave dhe e trashëgimisë së UÇK-së është përgjegjësi që tejkalon dallimet partiake.
Ajo ka theksuar nevojën për angazhim të përbashkët për ta kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë, të cilin e ka cilësuar të padrejtë, dhe për t’u siguruar çlirimtarëve të gjitha mjetet dhe garancitë juridike në procesin e apelit.
“Në asnjë ditë dhe në asnjë moment, çlirimtarët nuk do t’i lëmë vetëm!”, ka përfunduar Çitaku.

