14:21 / 04.03.2026
Opera e Kosovës me koncert për Epopenë e UÇK-së
Shqipe Gashi|RTKlive
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore për Epopenë e UÇK-së, Opera e Kosovës, përmes Korit dhe Orkestrës së saj, do të mbajë një koncert solemn nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.
Programi i mbrëmjes përfshin vepra nga kompozitorët Drinor Zymberi, Vasil Tole, Valton Beqiri, Feim Ibrahimi dhe Avni Mula, me pjesëmarrjen e pianisteve Elizabeta Qarri dhe Artemida Qarri.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Kulturës ky koncert-akademi realizohet si akt institucional kujtese dhe respekti, duke nderuar përmes artit muzikor sakrificën, heroizmin dhe vlerat kombëtare të historisë sonë.
Tutje, në njoftim theksohet se përkujtimi përmes artit mbetet një formë e fuqishme e ruajtjes së kujtesës kolektive, ndërsa kjo mbrëmje synon të sjellë reflektim dhe dinjitet në shënimin e një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së vendit.

