Ish-ushtari i UÇK-së, Uk Lushi, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së duke e cilësuar vendimin si politik dhe duke kërkuar ndryshime të thella në funksionimin e Speciales.
Lushi ka thënë se, sipas tij, “Kosova ka fituar, por kanë humbur UÇK-ja dhe themeluesit e saj”, ndërsa ka pretenduar se aktgjykimi është pjesë e një plani politik për Kosovën.
Ai ka kërkuar që politika e Kosovës të reagojë përmes veprimeve politike dhe që, sipas tij, të mos ketë më besim të pakushtëzuar ndaj aktorëve të huaj.
Ndër propozimet e tij janë edhe ndryshimi i mënyrës së funksionimit të Dhomave të Specializuara, vendosja e afateve për procesin e apelit dhe përfshirja e gjyqtarëve nga Kosova.
Lushi ka kërkuar që Specialja të bartet në Prishtinë brenda 6–12 muajsh dhe që, brenda 18–24 muajsh, gjyqtarët e saj të jenë vendorë.
Ai ka propozuar gjithashtu që gjykata të trajtojë krimet e luftës të kryera nga persona të të gjitha komuniteteve dhe ka kërkuar që të shqyrtohet edhe përgjegjësia e zyrtarëve serbë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në fund, Lushi ka deklaruar se, nëse partnerët ndërkombëtarë nuk pranojnë sovranitetin e Kosovës mbi këtë gjykatë, atëherë, sipas tij, “Specialja duhet të zhbëhet”.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës duke thënë se “Shteti i Kosovës është tradhtuar nga partnerët”, ndërsa Kosova, sipas tij, ka vepruar si partner i besueshëm dhe besnik.

