Tuesday, October 6, 2026
HomepafilterPolicia: 6 zyrtarë policorë tënduar dhe 11 protestues kërkuan ndihmë mjekësore

Policia: 6 zyrtarë policorë tënduar dhe 11 protestues kërkuan ndihmë mjekësore

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës pranë institucioneve shtetërore janë shoqëruar në stacion policor tre protestues, ndërsa gjashtë zyrtarë policorë dhe 11 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Sipas Policisë, disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta ndaj objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, duke bërë që Policia të përdorë gaz lotsjellës dhe topin e ujit.

“Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll dhe parandalimit të eskalimit të mëtejshëm të situatës, është detyruar disa herë të veprojë ndaj protestuesve që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur pajisjet e nevojshme policore, gazin lotsjellës, përfshirë topin e ujit për shpërndarje të turmës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia ka bërë të ditur se, për shkaqe sigurie, është ndaluar qarkullimi i automjeteve në intervale të ndryshme kohore në disa rrugë përreth qendrës së kryeqytetit.

“Si pasojë e protestës dhe zhvillimeve në terren, mosrespektimit të thirrjeve të vazhdueshme policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, janë shoqëruar në stacion policor tre (3) persona/protestues”, thuhet në njoftim.

Policia: Përdorëm gaz lotsjellës për të vënë situatën nën kontroll

Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta pranë Qeverisë dhe Kuvendit ka vazhduar edhe gjatë mbrëmjes, ndërsa pas hedhjes së mjeteve piroteknike, fishekzjarreve dhe gjësendeve të ndryshme, zyrtarët policorë kanë përdorur gaz lotsjellës për të vënë situatën nën kontroll.

Sipas Policisë, një grup protestuesish, të pakënaqur me mosvotimin e ligjit për Specialen, kanë hedhur vazhdimisht gjësende të ndryshme, mjete piroteknike dhe fishekzjarre në drejtim të objekteve shtetërore.

“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore, të mos dëmtohet prona publike, të mos pengohet lëvizja e lirë dhe të mos shkelen ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se, për shkak të hedhjes së vazhdueshme të gjësendeve, mjeteve piroteknike e fishekzjarreve dhe bllokimit të lëvizjes, është detyruar të ndërmarrë masat e nevojshme.

“Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme, Policia e Kosovës ka përdorur mjetet e ligjshme policore, gazin lotsjellës, për të mundësuar daljen e personaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll.”

Sipas Policisë, hedhja e gjësendeve, mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve, si dhe djegia e disa kontejnerëve të mbeturinave dhe zjarreve në rrugë, kanë shkaktuar dëme materiale.

“Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për persona me lëndime të rënda”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka ritheksuar se e njeh të drejtën për protestë paqësore dhe demokratike, ndërsa u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të qëndrojnë paqësorë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet.

“Përderisa protesta vazhdon, Policia e Kosovës do të jetë e pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore, si dhe mbarëvajtja e protestës, mbeten prioritetet tona.”

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram