Një pjesë e maturantëve të shkollave të mesme në Prishtinë munguan në orët e para të mësimit, pasi përmes grupeve në Viber ishin ftuar t’i bashkoheshin protestës “Jo në emrin tim”. Drejtuesit e shkollave thonë se mësimi ka vazhduar normalisht dhe se mungesat janë evidentuar. Këshilli i Prindërve thotë se nuk mbështet organizimin e nxënësve gjatë orarit mësimor, ndërsa Drejtoria e Arsimit nuk është deklaruar.
Një mesazh i shpërndarë përmes grupeve në Viber ka ftuar maturantët e disa shkollave të mesme të Prishtinës që të hënën, nga ora 08:00, t’i bashkohen protestës “Jo në emrin tim”.
Një pjesë e tyre kanë munguar në orët e para, ndërsa drejtuesit e shkollave kanë konfirmuar për RTK-në se procesi mësimor ka vazhduar normalisht.
Në gjimnazin “Sami Frashëri”, drejtori ka thënë se nxënësit që nuk kanë qenë të pranishëm janë evidentuar si mungesë dhe se për mungesat janë njoftuar prindërit.
Mungesa të maturantëve janë evidentuar edhe në shkollën e mesme “Gjin Gazulli”.
Nga drejtoria e kësaj shkolle kanë thënë për RTK-në se nuk kanë lejuar largimin e organizuar të nxënësve nga mësimi për të marrë pjesë në protestë.
Për mënyrën e organizimit dhe pjesëmarrjen e nxënësve gjatë orarit mësimor, qëndrim ka dhënë edhe Këshilli i Prindërve i Prishtinës.
Nga ky këshill kanë thënë se nuk i mbështesin organizimet që bëhen në kohën kur nxënësit duhet të jenë në mësim.
Nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë nuk janë deklaruar për këtë çështje.

