Friday, November 20, 2026
HomeGjeopolitikOpinionSulmi ndaj Belinda Ballukut, një sjellje prej mistreci! Veliaj po fryhet nga...

Sulmi ndaj Belinda Ballukut, një sjellje prej mistreci! Veliaj po fryhet nga qelia me iluzione politike!

NGA VLADIMIR MUÇAJ

Situata e paraburgimit të Erion Veliajt, veçanërisht pas transferimit të tij në burgun e Fierit, duket se ka hyrë në një fazë të re. Përplasja e tij me njerëzit e shtëpisë së vet politike po merr gjithnjë e më shumë tone të ashpra. Dhe këtë herë, duket se protagonisti kryesor i kësaj përplasjeje është vetë Veliaj.
Në disa editoriale të mëparshme kam shprehur mbështetjen time për të drejtën e tij për një proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm. Madje, kur u zhvillua seanca në Këshillin Bashkiak për shkarkimin e tij, e bëra publik qëndrimin tim se Veliaj duhej të ishte i pranishëm. Kam thënë qartë: Veliaj duhet të jetë pjesë e asaj mbledhjeje!

Por duke parë zhvillimet e fundit, mënyrën se si Veliaj po komunikon dhe qëndrimet që po përcjell përmes vetes dhe avokatit të tij, krijohet përshtypja se ai po përpiqet ta kthejë çështjen e vet gjyqësore në një betejë të gjerë politike. Një strategji që synon të ndërtojë në opinionin publik perceptimin e një njeriu të përndjekur politikisht.
Të jemi të qartë: transparenca në hetim dhe drejtësia në gjykim janë detyrime të panegociueshme. Kjo vlen për Veliajn dhe për çdo qytetar tjetër. Por e drejta për një proces të rregullt nuk mund të kthehet në një instrument për të shmangur përgjegjësinë politike apo për të imponuar një version personal të realitetit.
Dhe këtu fillon ajo që unë do ta quaja sjellje prej mistreci.
Në sfond është edhe ftesa publike e Sali Berishës për bashkëpunim me Veliajn, me synimin për të mundur Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Një zhvillim që mund t’i ketë krijuar Veliajt idenë se edhe nga qelia mund të ndërtojë një pozicion të ri politik. Por këtu, mendoj se Erioni po i jep vetes më shumë rëndësi sesa ka realisht në terrenin politik.
Veliaj duhet të ketë kujdes të mos fryhet nga burgu me imagjinatën se jashtë tij ka një ushtri mbështetësish që e pret me krahë hapur. Le të bëjmë një dallim të thjeshtë, por thelbësor: në Tiranë, mbështetjen elektorale ia dha Partia Socialiste. Votuesit votuan Partinë Socialiste, strukturat e saj, logon dhe alternativën politike që ajo përfaqësonte. Erioni ishte kandidati i kësaj force politike dhe pati fatin të ishte kandidati fitues, duke përfituar nga pesha elektorale dhe organizimi i një partie të madhe.
Por a e kujton Veliaj se çfarë ndodhi kur doli në garë me Partinë G99, pa mbështetjen e makinerisë elektorale të Partisë Socialiste? Rezultati ishte krejt tjetër, një rezultat që nuk mund të krahasohet me suksesin e mëvonshëm si kandidat i PS-së.
Kjo është arsyeja pse ai nuk duhet të ngatërrojë votën që mori si kandidat i socialistëve me një mbështetje personale, të pakushtëzuar, për të. Një gjë është të jesh kandidat i një partie të madhe, tjetër gjë është të provosh se ke elektoratin tënd, që të ndjek përtej logos dhe interesave të një force politike.
Prandaj, Erion, mos e ngatërro mbështetjen e Partisë Socialiste me një kapital politik personal! Mos mendoni se çdo votë që mori kandidati Veliaj ishte një votë besimi vetëm për Erionin. Politika ka kujtesë, ndërsa rezultatet elektorale flasin më qartë se çdo deklaratë.
Sipas meje, nëse Veliaj po e ndërton strategjinë e tij mbi mundësinë e një aleance të re politike, rrezikon të ngatërrojë interesat e momentit me realitetin politik. Jo çdo dorë e zgjatur është aleancë dhe jo çdo ftesë për bashkëpunim përkthehet në një rikthim politik.
Por episodi më pikant lidhet me shëndetin e tij.
Gjatë një vizite në burgun e Fierit, ku ndodhesha për të takuar një mik, në përputhje me rregullat e institucionit, më mbërriti një informacion interesant nga njerëz që ndodheshin aty. Bëhet fjalë për mënyrën se si, sipas këtyre dëshmive, Veliaj përdor patericën.
Më është treguar se ai mban një patericë, por herë pas here duket se ngatërrohet edhe me krahun nga duhet ta mbajë. Sipas rrëfimit, në disa raste e vendos në anën e këmbës që nuk e ka problem. Madje, thuhet se të burgosur apo pjesëtarë të shërbimit i kanë kujtuar: “Erion, mbaje nga ana e këmbës që ke problem!”
Dhe përgjigjja që më është përcjellë ka qenë: “Ah, po! Faleminderit!”
Nuk mund të nxjerrim përfundime mjekësore nga një episod i treguar nga të tjerët. Por ky detaj, nëse është përcjellë saktë, ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po komunikohet publikisht gjendja e tij shëndetësore.
Në fund të fundit, shëndeti nuk është objekt talljeje dhe as mjet për propagandë. Por as politika nuk mund të bëhet teatër, ku çdo rrethanë personale shndërrohet në argument për të fituar simpati apo për të ndërtuar një alibi politike.
Veliaj duhet të kuptojë gjithashtu se paraburgimi nuk është skenë politike dhe se opinioni publik nuk është spektator që duhet të duartrokasë çdo lëvizje të tij.
Nga qelia nuk mund të luash njëkohësisht rolin e viktimës, të strategut dhe të protagonistit të një aleance të re politike.
Drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Ndërsa Veliaj, në vend që të luajë me perceptimin publik, duhet të tregojë se e kupton seriozitetin e situatës ku ndodhet.
Sepse politika mund të falë shumë gjëra, por rrallëherë fal humbjen e kontaktit me realitetin. Permbylltazi sipas meje letra e sotme e Erionit drejtuar Belinda Ballukut qe sipas tij ajo bën komandën është një bllof e sjellje prej mistreci!.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram