Sunday, October 11, 2026
HomeLajmeKosovëMilosh Jovanoviqi në Prizren: Retorika nacionaliste dhe heshtja e institucioneve të Kosovës

Milosh Jovanoviqi në Prizren: Retorika nacionaliste dhe heshtja e institucioneve të Kosovës

Emri i Dr. Milosh Jovanoviqit nuk është i panjohur, të paktën për deklaratat e tij lidhur me Kosovën. Si figurë opozitare në Serbi, ai njihet për kritikat ndaj qeverisë së vendit të tij për çështjen e Kosovës. Kosova është një nga temat që ai e përmend vazhdimisht në deklaratat e tij publike.

Përballë këtyre qëndrimeve, shtrohet një pyetje e rëndësishme: A kanë autoritetet tona një listë të personave që duhet të shpallen non grata për shkak të nxitjes së urrejtjes, retorikës luftënxitëse dhe pretendimeve të hapura politike ndaj Kosovës?

Nga përvoja e dimë se shtetet e rajonit shpesh reagojnë ashpër edhe ndaj deklaratave që, në dukje, mund të konsiderohen krejt të zakonshme. Madje, në disa raste, mjafton një deklaratë për përkatësinë shqiptare të një fshati që një person të mos lejohet të hyjë në një vend të caktuar.

Ndërkohë, në Kosovë ndodh e kundërta. Kryetari i listës «E Djathta Autentike – Dr. Milosh Jovanoviq» vjen në Prizren dhe deklaron: «Kosova është territori ynë dhe ajo që është e jona nuk i jepet askujt».

Ai shkon edhe më tej, duke e cilësuar Prizrenin si një nga qytetet më të bukura serbe dhe duke iu referuar atij si «Prizreni perandorak i Dushanit».

Sipas deklarimeve të tij, për të Djathtën Autentike, «Kosova dhe Metohia është Serbi, gjithmonë ka qenë Serbi dhe për këtë nuk ka shaka».

Po ashtu, ai ka theksuar se E Djathta Autentike, përkatësisht DSS-ja e Re dhe monarkistët, kanë një plan të qartë për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave kombëtare të shtetit serb dhe të serbëve në atë që ata e quajnë «Kosovë e Metohi».

Sipas mediave serbe, vizita e Jovanoviqit në Kosovë ishte pjesë e një fushate zgjedhore, në të cilën lista që ai kryesonte mbështetej ose përfshinte emra si Aleksandar Popoviq, Branislav Ristivojeviq, Matija Beçkoviq, Kosta Çavoski, Nemanja Deviq dhe Bojan Dimitrijeviq.

Dhe këtu lind pyetja që nuk duhet të mbetet pa përgjigje: deri kur do të tolerohen deklarata të tilla në Kosovë, ndërsa institucionet tona nuk japin një përgjigje të qartë?

Liria e shprehjes nuk mund të shërbejë si mbulesë për pretendime politike që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Institucionet duhet të veprojnë me ligj, me përgjegjësi dhe me të njëjtat standarde për të gjithë.

Kosova nuk mund të jetë e hapur për vizita politike që shoqërohen me pretendime territoriale, ndërsa qytetarët e saj presin që shteti të mbrojë dinjitetin, sovranitetin dhe interesat e veta kombëtare./Kosovatimes/

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram