Sunday, October 11, 2026
HomeGjeopolitikOpinionSi e pashë Shqipërinë në vitin 1992!

Si e pashë Shqipërinë në vitin 1992!

Me shkas: Për disa që, andej e këndej kufirit, po krekosen se kush qenka më “i civilizuar”.

Zejdush KASTRATI

Jemi një, o njerëz!

Në Shqipëri isha për herë të parë në vitin 1992. Me dy shokë nga Gjilani, me një veturë me tabela gjermane, kaluam Qafë Thanën drejt Tiranës.

Shtatë orë udhëtim nëpër rrugë të shkatërruara. Vendbanime pa infrastrukturë. Varfëri kudo. Njerëz të traumatizuar, të veshur keq, disa që kërkonin lëmoshë.

Shqipëria që kisha imagjinuar nuk ishte ajo që pashë.

Ishte shumë më keq.

Në hotelin “Dajti”, nga kureshtja, e pyeta rojën pse nuk i lejonin qytetarët të hynin.

Më tha:

“Jo ore, ata jo që nuk kanë lekë për të blerë, por po i vjedhin edhe gotat!”

Por ajo që më ka mbetur më shumë në kujtesë ishin radhët e gjata të qytetarëve të Tiranës, në orët e hershme të mëngjesit, për të blerë nga dy bukë.

Kjo ishte Shqipëria që pashë në vitin 1992.

Sot është tjetër Shqipëri.

Ka ndryshuar rrënjësisht. Ka ndërtime, infrastrukturë, biznese, investime dhe një zhvillim që atëherë do të dukej i paimagjinueshëm.

A ka probleme? Sigurisht.

A ka arsye për kritikë? Plot.

Por duhet të jesh verbërisht inatçor që të mos i shohësh ndryshimet.

Dhe pikërisht këtu nuk i kuptoj disa prej “civilizuesve” të sotëm.

Po bëjnë garë se kush është më evropian.

Kush është më i kulturuar.

Kush është më i mençur.

Kush është më “civilizuar”.

Sikur të kishim hapur edhe Kampionatin Evropian të Civilizimit Shqiptar!

Njëra palë shan tjetrën.

Kosovari shqiptarin e Shqipërisë.

Shqiptari i Shqipërisë kosovarin.

Ky “katundar”.

Ai “primitiv”.

Ky “Tironci”.

Ai “Kosovari”.

Çfarë marrëzie!

Unë kam pasur kontakte me deputetë e politikanë të Shqipërisë dhe, sinqerisht, kam përshtypjen se shumë prej tyre janë më të përgatitur profesionalisht, me oratori dhe rezonim politik më të zhvilluar se një pjesë e deputetëve tanë.

Por edhe atje ka një problem:

Mund të kesh diplomë, oratori e kostum të mirë, por nëse të mungon pasioni për shtetin dhe kombin, të gjitha këto janë vetëm paketim.

E për Kosovën, nganjëherë kam përshtypjen se kemi shpikur një formulë tjetër:

Sa më pak të dish, aq më bindshëm flet!

Madje, ndonjëherë më duket se shoferët e autobusëve urbanë në Shqipëri janë më të informuar se disa deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Mos u hidhëroni.

Është vetëm një shaka. Nëse ju dhemb, ndoshta duhet të mendoni pse.

Por një gjë nuk është shaka:

Pa Shqipërinë, Kosova dhe shqiptarët e tjerë në rajon do ta kishin pasur shumë më të vështirë rrugën e fuqizimit.

Edhe UÇK-ja dhe formacionet e tjera patriotike shqiptare nuk do ta kishin pasur të lehtë të funksiononin pa Shqipërinë.

Prandaj, këto debate primitive se cili shqiptar është më “i civilizuar” janë vetëm ujë për mullirin e dikujt tjetër.

Kritikë?

Po!

Debat?

Po!

Mendime të ndryshme?

Patjetër!

Por përbuzje mes shqiptarësh?

Jo!

Sepse edhe njerëzit dallojnë.

Dikush është i gjatë, dikush i shkurtër.

Dikush ka hundë më të madhe, dikush më të vogël.

Edhe Toka ka male, fusha, dete e oqeane.

Dallimi është normal. Përçarja nuk është.

Prandaj, para se të fillojmë të matemi se kush është më “civilizuar”, ndoshta duhet ta pyesim veten:

A jemi mjaftueshëm të mençur për ta kuptuar se jemi më të fortë bashkë?

Sepse:

JEMI NJË POPULL.

KEMI NJË GJUHË.

KEMI NJË HISTORI.

KEMI NJË IDEAL.

Kur do të përmbushet ai ideal?

Varet nga ne.

Nga puna jonë.

Nga mençuria jonë.

Nga bashkëpunimi ynë.

Por një gjë është e sigurt:

Nuk do të na pengojë mungesa e civilizimit.

Do të na pengojë vetëm nëse vazhdojmë ta hamë njëri-tjetrin.

Dhe mbajeni mend:

Kur shqiptari e përçmon shqiptarin, nuk bëhet më evropian.

Vetëm bëhet më i dobishëm për ata që nuk e duan shqiptarin të fortë.

Mbi të gjitha: JEMI NJË

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram