Wednesday, November 4, 2026
HomeEkonomiZKA: Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve ka mangësi në automatizim dhe siguri

ZKA: Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve ka mangësi në automatizim dhe siguri

Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës ka nevojë për përmirësime në kontrollet e aplikacionit, automatizimin e proceseve dhe sigurinë e informacionit. Kështu thuhet në raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit, të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Sipas raportit, ndonëse sistemi mbështet në masë të konsiderueshme proceset bazë të regjistrimit, ndryshimit dhe çregjistrimit të bizneseve, ai nuk siguron në tërësi validimin automatik të të dhënave dhe zbatimin e kërkesave ligjore e të biznesit.

ZKA ka evidentuar se mungesa e disa kontrolleve të automatizuara, përfshirë kriteret për dallueshmërinë e emrave të bizneseve, krijon nevojën për verifikime manuale dhe mund të ndikojë në efikasitetin e shërbimeve.

Probleme janë identifikuar edhe në raportim, analiza dhe statistika, si dhe në funksionalitetet për korrigjimin e lëndëve. Po ashtu, proceset e regjistrimit dhe çregjistrimit nuk janë plotësisht të digjitalizuara, pasi një pjesë e tyre vazhdon të mbështetet në dokumentacion fizik dhe procedura manuale.

Sa i përket sigurisë së informacionit, auditimi ka gjetur mungesë të politikave dhe procedurave të formalizuara për menaxhimin e sigurisë dhe vazhdimësinë e shërbimeve. Dobësi janë evidentuar edhe në menaxhimin e fjalëkalimeve, ndryshimeve, ndarjen e roleve kritike dhe procedurat për rikthimin e sistemit në rast fatkeqësish.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka vlerësuar se sistemi ka ndihmuar në standardizimin e proceseve dhe centralizimin e informatave, por kontrollet aktuale nuk garantojnë nivelin e nevojshëm të automatizimit, validimit, raportimit dhe sigurisë.

Për adresimin e këtyre mangësive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përkatësisht Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), e cila administron sistemin.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram