Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar në Berlin përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në NATO, ambasadorin Detlef Wächter, me të cilin ka biseduar për thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me fokus në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e trajnimit, edukimit dhe zhvillimit profesional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në shkollat dhe kurset e NATO-s.
“Gjithashtu, diskutuam për synimin strategjik të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO dhe rëndësinë e mbështetjes së partnerëve tanë në këtë proces”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri ka theksuar se Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm strategjik i Kosovës në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimin e integrimit euroatlantik.

