Nga Vladimir Muçaj:
Mbrëmë ndoqa një spektakël të çuditshëm televiziv. Jo një emision investigativ, as një debat gazetaresk, por një gjyq publik, me prokurorë të improvizuar, aktakuzë mediatike dhe një të akuzuar që, të paktën në atë studio, dukej sikur e kishte marrë tashmë vendimin e fajësisë.
Në shënjestër ishte Belinda Balluku. Në krahun e akuzës, Klodiana Lala dhe Julian Hoxha.
Po e sqaroj që në fillim: nuk kam asgjë personale me asnjërin. Klodiana Lalën e njoh vetëm nga ekrani dhe nga një takim i vetëm, kalimthi. Me Julian Hoxhën njihem që prej kohës kur hidhte hapat e parë në gazetari në Elbasan. Prandaj, kjo që po shkruaj nuk është çështje personale, por shqetësim për një profesion që po humbet gjithnjë e më shumë kufijtë e vet.
Në emisionin “Shënjestër”, me pjesëmarrjen e Aranita Brahaj, dëgjova një paradë dyshimesh, akuzash dhe interpretimesh për tunele, vila, ndërtime e plot çështje të tjera që lidhen me emrin e Ballukut.
Dyshja Lala-Hoxha ishte në një harmoni të admirueshme: njëri ngrinte dyshimin, tjetri e përforconte; njëri hidhte akuzën, tjetri i jepte një tjetër interpretim. Për një moment, pata përshtypjen se nuk po ndiqja një emision televiziv, por një praktikë profesionale në prokurorinë e ekranit.
Po mirë, zotërinj gazetarë, ku mbaron dyshimi dhe ku fillon prova? Ku mbaron investigimi dhe ku fillon paragjykimi?
Sepse të bashkosh disa dyshime, deklarata politike dhe interpretime për të krijuar te publiku bindjen se faji është tashmë i provuar, nuk është gazetari investiguese. Është gjyq mediatik.
Dhe pastaj, në fund, vjen fjalia shpëtimtare: “Gjithsesi, vendos gjykata!”
Sa bukur! Pasi ke zhvilluar gjyqin në ekran, ke ndërtuar aktakuzën dhe ke krijuar përshtypjen e fajësisë, kujtohesh se vendimin duhet ta japë gjykata.
Nuk mund të luash rolin e prokurorit për dy orë dhe të kujtohesh në minutën e fundit se nuk je gjykatës!
Ta kuptojmë drejt: Belinda Balluku nuk është mbi ligjin. Nëse ka shkelur ligjin, le të përgjigjet. Por askush nuk ka të drejtë ta shpallë fajtor në një studio televizive përpara se të flasë drejtësia.
Dhe këtu qëndron problemi i madh i një pjese të medias shqiptare: flasin për pavarësinë e gazetarisë, por harrojnë pavarësinë nga interesat politike dhe pronësore. Flasin për të vërtetën, por shpesh e servirin atë përmes filtrave të interesit.
Kur një ekran ka lidhje të njohura me një kamp politik dhe në studion e tij zhvillohet një gjyq mediatik kundër përfaqësuesve të kampit tjetër, publiku ka të drejtë të pyesë: ku mbaron gazetaria dhe ku fillon agjenda politike?
Do të doja të shihja të njëjtin zell investigativ, të njëjtën këmbëngulje dhe të njëjtën ashpërsi edhe kur në shënjestër janë njerëz që u përkasin kampeve politike më të afërta me interesat e këtyre ekraneve. Aty provohet integriteti profesional, jo kur shënjestra është politikisht e leverdishme.
Klodiana dhe Julian, me gjithë respektin për profesionin tuaj, gazetaria nuk është garë se kush e godet më fort personin që ndodhet në shënjestër. Nuk është as shërbim ndaj opozitës, qeverisë apo pronarit të televizionit. Është shërbim ndaj publikut.
Mikrofoni nuk është mandat prokurori. Kamera nuk është çekiç gjykatësi. Dhe studioja televizive nuk është gjykatë popullore!
Nëse doni të bëni gazetari, hetoni, investigoni, nxirrni dokumente dhe kërkoni përgjegjësi. Por mos merrni përsipër edhe detyrën e drejtësisë.
Sepse kur gazetari bëhet prokuror dhe studioja televizive kthehet në sallë gjyqi, nuk kemi më gazetari të lirë. Kemi propagandë me kostum, kollare dhe mikrofon.
Dhe ky është një nga fenomenet më të shëmtuara të medias shqiptare: gazetari që nuk kërkon të zbulojë të vërtetën, por të bindë publikun se e ka gjetur fajtorin përpara se të përfundojë gjykimi.

