Sunday, November 29, 2026
HomeGjeopolitikOpinion 114 vjet pushtet, jo shtet

 114 vjet pushtet, jo shtet

Xhovan Shyti

Propagandë e bujshme, debate, polemika, dokumenta të vjetra e të reja, mburrje e britma triumfi, gjoksngrehje politikanësh, derdhje fondesh pa hesap, dreka e darka solemne dhe protesta që shpresohet të nxjerrin jashtë rrugëtimit kastën e vjetër politke.

Të gjitha për një qëllim: festimin mesa më shumë madhështi folkloriko-arkaike të atij që propogandohet si 114 vjetori i ekzistencës së shtetit shqiptar.

Në gjithë këtë kakofoni, ku flamujt Kuq e Zi prijësojnë, një fakt është i sigurt; Në 12 Nëntor të vitit 1912 në ballkonin e një shtëpije vlonjate, Ismail Qemal Vlora, ish diplomati shqiptar i plakur në sarajet e sulltanatit shekullor turk, shpalosi flamurin simbol dhe, sikurse shënohet në dokumentin me nr. 1328/1912 të vjeshtës së tretë, që ka vendimuar aktin, e shpalli Shqipërinë:më vehte, të lirë e të mosvarme.

Në anën tjetër eskorta partiako pushtetare, me shajet e kuq rreth qafës dhe yllin revolucionare, në thile të xhaketës, i shton një ditë më shumë solemnitetit të pavarësisë së vendit me, sipas ideologëve të tyre: “krijimin e shtetit të vërtetë shqiptarë”.

Duke zvendësuar fjalën “pavarësi” me “çlirim”, sikurse vitet e shkuara, edhe këtë vit grigja e regjimenteve të politikës majtiste feston e vetme 82 vjetorin e ikjes së gjermanit të fundit nazist dhe shpalljen e çlirimit të plotë të vendit.

Akti i kësaj të fundit u legjitimua si datë përkujtimore gjithëkombëtare në fillim të viteve 1950, pra gjashtë vite pas ditëikjes së nazistit të fundit nga Shkodra. Duke ia lenë polemikat e vërtetësisë së ngjarjeve histo-politikanëve po theksojmë se si 28 nëntori 1912 i flamurit të pavarësisë dhe 29 nëntori 1944 i fitores mbi nazi-fashizmin, përbashkohen në pikën e themelimit të shtetit shqiptar.

Valëvitja e flamurit qemalist ishte përmbyllja, fundi i sundimit disashekullor otoman dhe shmangie e rrezikut të të tjera pushtimeve,që në ato mote të 1912 prisnin pas porte. Por ishte njëherësh edhe fillimi i një proçesi, që ende nuk ka përfunduar. Pasi, referuar gjurmëve të historisë, shteti i themeluar 114 vjet më parë e i vazhduar deri në sotmëri, asnjëherë nuk ka qenë për shqiptarët në konteksin e plotë leksikor të kësaj fjale.

Asnjëherë nuk ka qenë në shërbim të shqiptarëve popull, por vetëm të esnafit drejtues. Të qeverisësve, që me pushtetin e shtetit e kanë sunduar. Sepse shteti, shqiptarë vërtetë ka qenë dhe është ekzistentë, që nga 1912, në atë që thirret konstitucioni administrativ i një vendi, por si anë më të qenësishme të tij ka patur pushtetin.

Pushtetin e një pakice: të prijësisë, të klanit, të bajrakut, të oborrit mbretëror, të byroistëve, të bllokistëve, të patronazhistëve dhe ozurpatorëve votëvjedhës, që e përdorin shtetin për pushtetin e tyre. Për pushtetin individual. Për të përfituar priviligje individuale, duke mos u preokupuar fare për prosperitetin dhe mirëqënien e atij që dikur thirrej popull, kurse në modernitetin e sotëm taksapagues.

Festojmë 114 vjetorin e shtetit apo të pushtetit?

Përgjigja e drejtë e kësaj pyetjeje përbën fillin e kalvarit të pafundtë. Të nisur, ndoshta edhe më parë se data 12 nëntor 1912, kur 40 atdhetarët firmëtarët zyrtarizuan pavarësinë, lirinë dhe mosvarjen e shtetit shqiptar.

Të shtetit apo të pushtetit?

Një pyetje që ja vlen të hidhet mbi tryezë, pasi dhënia e një përgjigjeje sa më të saktë rreth saj ka më shumë rendësi se pohimi ngulmues për qënien e Shqipërisë shtet i pavarur, me moshë 114 vjeçare. Ka shumë më shumë rendësi se ditirambet, se konkurset, se tortat dhjetra metroshe, se milionat e hedhura për dekorin dhe shpërblimin e rapsodëve.

Por, përgjigja e pyetjes: 114 vjet shtet apo, pushtet ka më shumë rëndësi për të ardhmen.

Për atë që pritet të vij paskëtaj e që lidhet me qënien e individit shqiptarë në funksion të pavarësisë së shtetit apo të pushtetit. Domethënë të qënies në funksion të Njëshit, që e shfrytëzon hijen e shtetit për pushtetin e vet e të sojsorollopit shërbesëtar. Një raport siamezik ky, ku më së shumti, prijësia ka ecur me shumë sukses ndër këta 114 vjet, por jo shqiptarët.

Prijësia e pavarur, e lirë, e mosvarme nga sundimi defakto i të huajve pushtues, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, por jo shqiptarët që varësinë dhe kufizimin (pse jo dhe mungesën e lirive e të drejtave universal) e kanë vuajtur dhe vazhdojnë ta vuajnë edhe sot e kësaj dite.

Një vazhdimësi konsistente kjo, që referuar historisë dëshmohet të ketë qenë prezente edhe kur vendi është qeverisur nga esnafi politik i kohës së mosvarësisë. Por edhe nga sundimtarët e monarkët, nga diktatorët e ardhur më pas, apo nga vrasësit e të drejtave dhe lirive demokratike, që ende marrin guximin të ekzistojnë.

Pushteti i shqiptarëve prijëstarë, mbi shqiptarët popull del të ketë marrë rrugë së bashku me themelimin e shtetit të parë. Domethënë që më 1912 e në vijim. Që atëherë kur në emër të shtetit një grup i pushtetshëm gjymtoi të vërtetën historike. Shfrytëzoi foshnjërinë e shtetit për të fallsifikuar, për të kthyer në hije e për të hequr fakte e personazhë historik.

U sfumua deri në mosekzistencë figura e Bab Dud Karbunarës (alias: Jorgji Karbunara), e plakut të urtë beratas, e mësuesit mëmëdhetar, të torturuar e poshtëruar nga dumbabistët, ndërkohë që u lartësua figura e xhelatit të tij, e banditit Haxhi Qamili. Edhe sot shtëpia e mësuesit të ndjerë qëndron e gërmadhizuara në mes të kalasë së Beratit, ndërkohë që baraka e fshatarit tiranas Haxhi Qamili u shpall muze.

E vërteta dëshmon se Bab Dud Karbunara, u spostua pasi në mbledhjen formuese të qeverisë së 1912 (saktësisht në mbledhjen e IV, të mbajtur në dt. 03.12.1912), këmbënguli të respektohej përbërja religjionale e popullsisë dhe kabineti qemalist të mos ishte i përbërë i gjithi me myslimane, sikurse po ndodhte. Një konstatim ky që u përkrah edhe nga Pandeli Cali, Dhimitër Berati e Qemal Elbasani. Figura këto që po për të njejtën arsye, ma do mëndja, kanë mbetur po aq në hije ndër vitet që do të vijonin historinë.

Në këtë këndvështrim beratasi i urtë Bab Dud Karbunara, së bashku me ta, por, ndoshta edhe të tjerë, janë viktimat e para të të pushtetshmëve shqiptarë që flisnin në emër të shtetit. E pushtetit të të pushtetshmëve, që, historikisht, e ka sunduar shtetin e shqiptarëve.

Në emër të themelimit-modernizimit e konsolidimit të shtetit shqiptarë, Ahmet Bej Zagolli u shpall në fillim president-kryeministër e më pas Monark. Dhe kështu historia vazhdoi.

Në emër të shtetit të gjithëpopullit komunistët fituan pushtetin e pasluftës së Dytë Botërore dhe nga demokraci popullore e shndërruan Shqipërinë në pushtet të Enver Hoxhës dhe bllokistëve të tjerë. 

U shpresua që shembja e Murit të Berlinit do të shëmbte dhe fenomenin e mbrapshtë shqiptarë të shfrytëzimit të fuqisë së shtetit të të gjithëve për pushtetin e disave, por kjo nuk ndodhi.

Sepse edhe arradha e të hipurve e të zbriturve nga froni i qeverisjeve 35 vjeçare preferoi të sakrifikoj shtetin për të ruajtur pushtetin e vetëm një njeriu, të një individi që për pushtetin e tij se ka për gjë të përzgjedhë si formë qeverisjeje demagogjinë, mashtrimin e gënjeshtrën, të shkelë të drejtat e liritë universale të gjithë atyre që nuk i shkojnë pas në sjelljen antishtet.

Të jap shtetin me gjithçka, për hatër të ruajtjes së pushtetit të tij, me çdo kusht. Një fat tragjik që është prezent edhe në këtë përvjetor të 114 të krijimit të shtetit shqiptarë. Të shtetit të lirë e të mosvarur nga sundimi i huaj , por jo nga ai i pushtetit të esnafit politik shqiptarë. /CNA

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram