Nga Vladimir Muçaj
Protesta që përdhos flamurin dhe dhuna që nuk sjell ndryshim!
Protesta e sotme në Tiranë shfaqi edhe një herë pamje dhune, sulmesh, plaçkitjesh dhe përplasjeje me Policinë e Shtetit. Molotovët, gurët, hunjtë dhe maskat nuk janë shenja të një lëvizjeje që kërkon ndryshim, por tregues të një proteste që po humbet kuptimin dhe mesazhin e saj politik.
Sulmi ndaj Policisë së Shtetit është i papranueshëm. Policia është institucion i shtetit dhe i qytetarëve, jo pronë e Edi Ramës, e Sali Berishës apo e ndonjë force politike. Ajo duhet të jetë e paanshme dhe të zbatojë ligjin, pavarësisht se kush qeveris vendin.
Në pamjet e sotme nuk pamë një polici që kërkonte konflikt, por pamë situata ku dhuna e një grupi protestuesish e çoi përballjen përtej kufijve të një proteste normale. Proporcionaliteti i reagimit policor mbetet gjithmonë një detyrim ligjor, por edhe përdorimi i forcës nga ana e policisë duhet parë në raport me rrezikun dhe rrethanat konkrete. Kur kalohet kufiri i protestës paqësore dhe kalohet në sulme, shkatërrime e plaçkitje, policia ka detyrimin ligjor të ndërhyjë për të mbrojtur qytetarët, institucionet dhe pronën publike e private.
Problemi është se një pjesë e protestuesve duket se nuk e kanë kuptuar se kundërshtari i tyre politik nuk është polici që qëndron në krye të detyrës. Policia nuk është armiku i protestuesve. Ajo është aty për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Ata që veshin maska, hedhin molotovë, sulmojnë efektivët dhe plaçkisin institucione apo biznese nuk mund të paraqiten si shpresa e një qeverisjeje të ardhshme. Dhuna nuk është alternativë politike dhe shkatërrimi nuk është program qeverisës. Një opozitë që kërkon të vijë në pushtet duhet të bindë qytetarët me ide, përgjegjësi dhe alternativa, jo me kaos në rrugët e kryeqytetit.
Gjatë protestës janë plagosur edhe disa gazetarë, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë. Çdo incident që cenon sigurinë e gazetarëve është serioz dhe kërkon verifikim të plotë. Deri në sqarimin e rrethanave, nuk duhet të nxirren përfundime të parakohshme për përgjegjësinë e kujtdo. Gazetarët duhet të jenë të lirë të raportojnë dhe të mbrojtur në ushtrimin e profesionit të tyre.
Por një nga pamjet më të rënda të kësaj proteste ishte edhe përdhosja e flamurit kombëtar. Flamuri nuk është pronë e një partie, e një lideri apo e një grupimi politik. Ai është simboli që na bashkon të gjithëve, përtej bindjeve dhe ndasive politike. Të prekësh dinjitetin e tij në emër të një kauze politike është të kalosh një kufi që nuk duhet kaluar.
Shqipëria ka nevojë për protesta që kërkojnë llogari, për opozitë që ofron alternativa dhe për institucione që veprojnë sipas ligjit. Nuk ka asnjë ndryshim të vërtetë që mund të lindë nga molotovët, plaçkitjet dhe dhuna.
Dhunën mund ta imponosh për një natë, por besimin e qytetarëve nuk e fiton dot me maskë e molotov!

