Sahudin M. Hysenaj, astronom
Për ne shqiptarët, stina e beharit dhe e lulëzimit të natyrës – pranvera ka një kuptim të dyfishtë. Krahas pranverës astronomike, e cila këtë vit fillon më 20 mars, në orën 15 e 46 min., sipas kohës lokale, ne festojmë edhe pranverën tradicionale (shqiptare), të njohur si Dita e Verës, një festë me origjinë shumë të lashtë që daton që nga koha e ilirëve dhe që kremtohet më 14 mars, afërsisht një javë para fillimit të pranverës astronomike. Në një kohë kur shumë popuj evropianë nuk kishin ende njohuri të zhvilluara për matjen e kohës dhe për sistemet kalendarike, paraardhësit tanë, ilirët, zotëronin elemente të rëndësishme të njohurive nga fizika dhe matematika, duke arritur të përllogarisnin kohën sipas një sistemi të veçantë kalendarik, të njohur si kalendari iliro-shqiptar.
Gjurmët e të cilit janë ruajtur deri vonë në popull dhe disa terma kohorë dhe gjuhësorë përdoren edhe në ditët e sotme. Populli shqiptar ka përdorur një kalendar që kishte 8 muaj. Muaji kishte 45 o se 46 ditë.

Fig. 1. Kalendari iliro-shqiptar
Gjurmët e këtij kalendari në lashtësi medoemos shkojnë deri në kulturën ilire. Muajt e këtij kalendari janë: Pranvera, Qershori, Korriku, Djegaguri, Vjeshta, Dimnori, Brymsi dhe Ngrijsi. Festa kryesore e kulturës që përdorte këtë kalendar ishte fillimi i vitit, që quhej Kryet e motmotit dhe zgjaste 3 ditë (6, 7, 8 maj). Kjo festë, me ardhjen e krishterimit në trojet tona, u krishterizua dhe u quajt Shëngjergji. Ky term përdoret edhe sot, ashtu sikurse përdoret edhe Shëmitri (Shën Mitri) për Mesvitin (5, 6 nëntor), dhe fjalë të tjera që lidhen me këtë kalendar dhe falë tij në të kaluarën e largët u përllogariten stinët e vitit, me theks të veçantë pranvera, shkencë kjo me përputhshmëri të plotë edhe në ditët e sotme.
Faktikisht, është përllogaritur përputhshmëria e rrafshit të ekuatorit me rrafshin e ekliptikës, përkatësisht pozicioni i Tokës në orbitë rreth Diellit, që i bie më 14 mars, me një gabim të vogël, afërsisht për një javë. Pikërisht më 14 mars, që nga kohët e lashta, trevat shqiptare kanë kumbuar nga aktivitetet festive, duke e shndërruar Ditën e Verës në një festë mbarëkombëtare. Simbolet kryesore të kësaj feste janë: verorja (laramani) dhe gatimet tradicionale, ballokumja, ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite.
Hyjnia ilire dhe magjia e Ditës së Verës mishërohen te verorja (laramani), të cilën çdo shqiptar, pavarësisht moshës dhe gjinisë, e vendos në dorë. Ajo është një lidhëse që thuret me dy fije peri: njëra me ngjyrë të bardhë dhe tjetra me të kuqe.
Fija e kuqe simbolizon gjakun tonë, gjenin dhe trojet tona, gjakun e pastër të paraardhësve tanë ilirë, të trashëguar te figurat e shquara shqiptare si Skënderbeu, Nëna Terezë, Ibrahim Rugova, Adem Jashari …
Ndërsa e bardha përfaqëson dritësinë, rrezatimin, ndriçimin, vetë Diellin, të cilin civilizimet e hershme, përfshirë edhe paraardhësit tanë ilirë, e konsideronin si vetë Perëndia që na jep shpresë dhe jetë, si dhe dashurinë që kemi për njëri-tjetrin, miqtë tanë, pastërtinë dhe ripërtëritjen e natyrës.
Zakonisht vendoset në dorë më 14 mars dhe hiqet kur shohim dallëndyshen e parë të pranverës. Sipas traditës, verorja sjell fat, shëndet, lumturi, harmoni, mbrojtje nga e keqja dhe forcon besimin ndaj kulturës dhe traditës sonë.
Dikur, si fëmijë, pa përjashtim mbanim veroren, të përgatitur nga mamaja ose gjyshja, duke uruar shëndet dhe fat në të gjitha lëmitë e jetës. Kjo traditë ruan lidhjen e shqiptarëve me natyrën dhe kulturën e tyre, duke e bërë Ditën e Verës një festë të veçantë dhe të dashur brez pas brezi, por sot ku jemi?
Kah jemi me kulturë, bujari, mikpritje, veshje, gjuhë, besim… Mjerisht, agjenturat e huaja, të prira nga Serbia dhe Turqia, po e bëjnë të pamundurën të mundur që ne, pasardhësit e ilirëve, ta përqafojmë idenë duke u tjetërsuar në kulturë të huaj, si në veshje, pamje dhe sjellje, që ngjajnë sikur je duke jetuar në mesin e fiseve beduine, për ta imituar kohën e shkuar profetike dhe po dalim joseriozë para botës së qytetëruar, duke e zbehur skajshmërisht identitetin tonë kombëtar. Yshtja, bindja dhe trushpërlarja nga ana e disa imamëve të papërgjegjshëm bënë që shumë shqiptarë, sidomos nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të harrojnë se aleati ynë historik, Amerika, ruajti shtetin shqiptar, solli lirinë e Kosovës, shpalli Republikën e Kosovës, formoi Ushtrinë e Kosovës dhe, pa përjashtim, ruan paqen dhe stabilitetin në të gjitha trojet tona, e ne të gjorët, pa vetëdije, po “rreshtohemi” në krah të atyre që vazhdojnë të mbajnë qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve; jo vetëm që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por në shumë raste shfaqen edhe me retorikë fyese ndaj kombit shqiptar.
Pa përjashtim, kudo në trojet tona dikur festohej Dita e Verës. Megjithatë, në ditët e sotme vazhdon të festohet në Shqipëri, festë kjo e lashtë që shënon ardhjen e pranverës dhe që, sipas
kalendarit të sipërpërmendur, përfaqësonte edhe fillimin e vitit të ri. Kjo traditë mbarëshqiptare ka rrënjë të thella në qytetin e Elbasanit, ku është ruajtur dhe festuar me përkushtim ndër shekuj.
Vazhdimisht dhe pandërprerë, bashkë me shtëpinë tonë kozmike – Tokën, lëvizim me shpejtësi afërsisht 30 kilometra për një sekondë. Meqenëse lëvizim së bashku njëkohësisht, rrotullimin vjetor të Tokës nuk e ndiejmë, por fitojmë përshtypjen sikur po rrotullohet Dielli rreth nesh nëpër rrugën vjetore të tij, e cila quhet ekliptikë. Rruga e dukshme vjetore e Diellit dhe rruga e vërtetë vjetore e Tokës ndodhen në të njëjtin rrafsh dhe në këtë rrugë vendndodhjet e tyre gjatë një viti ndryshojnë. Secili nga ne është dëshmitar i faktit se, gjatë ditëve të ndryshme të vitit, Diellin e projektojmë në vende të ndryshme të sferës qiellore, si në figurë (Fig. 2).
Nga figura duket se çdo vit, në ditën e ekuinoksit pranveror (rreth 21 marsit) dhe të ekuinoksit vjeshtor (rreth 23 shtatorit), Dielli e pret ekuatorin qiellor. Rrafshi i ekuatorit përputhet me rrafshin e ekliptikës dhe në këto data, dita dhe nata janë të barabarta nga 12 orë. Vetëm në këto data, Dielli lind pikërisht në pikën e lindjes dhe perëndon në atë të perëndimit.

Fig. 2. Lidhja midis lëvizjes vjetore të Diellit dhe Tokës.
Këtë vit, më 20 mars, saktësisht në orën 15:46, fillon stina e pranverës (pranvera astronomike në hemisferën veriore të Tokës), e cila do të zgjasë 92 ditë, 17 orë dhe 38 minuta.
Për trojet tona, rrafshi i ekuatorit përputhet me rrafshin e ekliptikës, këndi në mes të këtyre dy rrafsheve është zero, në gjuhën e astronomisë ky kënd quhet deklinacion i Diellit dhe pikërisht ditën e premte, në orën 15 e 45 minuta, këndi në fjalë është zero shkallë.
Nga figura duket se deklinacioni i Diellit, duke filluar nga pika e ekuinoksit pranveror, rritet vazhdimisht, prandaj dita vazhdimisht zgjatet. Këndi i rënies së rrezeve të Diellit fillon të rritet deri më 21 qershor, në solsticin e verës S, ku Dielli arrin largësinë më të madhe nga ekuatori në drejtim të veriut. Deklinacioni i Diellit merr vlerën më të madhe të mundshme +23° 27′, ekuatori
dhe ekliptika formojnë midis tyre këndin më të madh të mundshëm +23° 27′. Këndi i rënies së rrezeve të Diellit merr vlerat maksimale, dhe për banorët e hemisferës veriore është dita më e gjatë e vitit. Kjo quhet dita e solsticit të verës.
Në pikën e solsticit të verës S, fillon stina e verës. Dielli arrin lartësinë më të madhe, lartësi kjo që për disa ditë ndryshon aq pak sa na duket sikur qëndron në një vend. Më vonë, Dielli fillon të zbresë nëpër ekliptikë, duke zvogëluar deklinacionin nga dita në ditë. Me këtë ritëm Dielli rrugëton deri nga 22 shtatori (për këtë vit), ku deklinacioni i tij zbret në zero. Në këtë pikë fillon stina e vjeshtës, dita dhe nata janë prapë të barabarta nga 12 orë. Nga kjo pikë, Dielli vazhdon lëvizjen e dukshme të tij nëpër ekliptikë dhe arrin pikën më të ulët më 22 dhjetor, kur fillon edhe stina e dimrit. Ekuatori dhe ekliptika formojnë këndin më të vogël -23° 27′, këndi i rënies së rrezeve të Diellit zvogëlohet në maksimum, për banorët e hemisferës veriore është nata më e gjatë e vitit. Kjo quhet nata e solsticit të dimrit. Më pas deklinacioni fillon të rritet derisa të arrijë vlerën zero, në figurë kthehemi aty ku filluam përshkrimin e lëvizjes së dukshme vjetore të Diellit, në stinën e pranverës. Është e qartë se për banorët e hemisferës jugore situata është e kundërt. Vera fillon më 22 dhjetor, vjeshta më 21 mars, dimri më 22 qershor dhe pranvera më 23 shtator. Perioda për të cilën Dielli e përshkruan një lëvizje të dukshme të plotë quhet vit natyral (tropik) dhe gjatë kësaj kohe ndërrohen të katër stinët e vitit.
Jeta jonë dhe stinët e vitit janë të lidhura rrënjësisht me njëra-tjetrën. Përgjatë vitit që lamë pas, dimri nisi më 21 dhjetor në ora 16:03, duke shënuar fillimin e ciklit të ftohtë të natyrës, dhe zgjati 88 ditë, 23 orë e 42 minuta. Vera do të nisë më 21 qershor në ora 10:24, si kulmi i dritës dhe i energjisë së Diellit, dhe do të zgjasë 93 ditë, 15 orë e 40 minuta. Ndërkaq, vjeshta fillon më 23 shtator në ora 02:05, duke sjellë qetësimin gradual të natyrës, me një kohëzgjatje prej 89 ditësh, 20 orë e 45 minuta.

