Sunday, June 14, 2026
HomeLajmeKosovëDHTIK për moratoriumin ndaj gurthyesve: Po humbi shumë vende pune

DHTIK për moratoriumin ndaj gurthyesve: Po humbi shumë vende pune

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilat kanë vendosur moratorium mbi sektorin e gurthyesve në Kosovë.

Sipas DHTIK, ky vendim është marrë pa konsultim paraprak me bizneset dhe palët e interesit, në një kohë kur diskutimet me institucionet kanë qenë të përqendruara në gjetjen e zgjidhjeve për zhbllokimin e aktivitetit të shumë bizneseve të sektorëve të ndryshëm, të cilat janë penguar nga Ligji për Pronën Publike.

Dhoma vlerëson se vendimet e marra në mënyrë ad hoc kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomi, ndërsa paralajmëron se vazhdimi i kësaj praktike vetëm sa do ta thellojë krizën dhe do të ndikojë negativisht në stabilitetin e tregut.

DHTIK thekson se për shkak të bllokadës së krijuar nga Ligji për Pronën Publike dhe pengesave të tjera që kanë pasuar, pjesa më e madhe e zhavorrit që aktualisht importohet në Kosovë vjen nga Serbia.

Sipas kësaj Dhome, kjo situatë ka rrezikuar shumë vende pune, ka ulur aktivitetin ekonomik, ka shkaktuar paqëndrueshmëri të çmimeve dhe ka rritur varësinë nga importi.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me bizneset e prekura nga ky vendim dhe nga kufizimet e ligjit, ndërsa në bashkëpunim me to pritet të përcaktohen edhe hapat e mëtejmë.

Kujtojmë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vendosur një moratorium mbi sektorin e gurthyesve lidhet kryesisht me nevojën për menaxhim të qëndrueshëm të resurseve natyrore dhe për respektimin e Ligjit për Pronën Publike.

Autoritetet kanë argumentuar se operimi i gurthyesve pa leje të qarta dhe pa monitorim të rregullt po shkakton degradim të mjedisit, shfrytëzim të paqëndrueshëm të burimeve dhe probleme ligjore lidhur me pronësinë dhe përdorimin e tokës publike.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram