Thursday, April 16, 2026
HomeEkonomiOda Ekonomike Amerikane: Kriza e zgjatur politike, kosto e lartë ekonomike

Oda Ekonomike Amerikane: Kriza e zgjatur politike, kosto e lartë ekonomike

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në një deklaratë për media, ka shprehur shqetësim, duke cilësuar se Kosova me brishtësinë e vazhdueshme institucionale dhe krizat e stërzgjatura politike, po përballet me kosto të lartë ekonomike.

“Pas gati një viti të plotë reformash të bllokuara në vitin 2025, ekziston rreziku në rritje që edhe viti 2026 të përfaqësojë një tjetër vit me progres të kufizuar reformash. Në një kohë kur Kosova mbetet ndër ekonomitë më pak të zhvilluara në Evropë, këto vonesa nuk janë thjesht procedurale, por bartin kosto të lartë ekonomike”, thuhet në komunikatën e tyre.

OEAK thekson se “qeverisja e dobët ekonomike, e kombinuar me pasigurinë politike, minon vrullin e reformave, vonon transformimin e domosdoshëm strukturor dhe dobëson besimin e investitorëve”.

“Në të njëjtën kohë, OEAK shpreh shqetësim për mungesën e dukshme të vullnetit të Qeverisë për të rishikuar regjimin fiskal të aplikuar ndaj karburanteve, veçanërisht në dritën e krizës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe ndikimit të saj në furnizimin dhe çmimet globale të energjisë. Në vendet e BE-së dhe jashtë saj, qeveritë kanë ndërmarrë masa për të zbutur efektet e goditjeve të jashtme. Mungesa e përshtatjeve të ngjashme të politikave në Kosovë rrezikon të rrisë presionet e kostove për bizneset, të dëmtojë konkurrueshmërinë dhe në fund të rëndojë konsumatorët”, vazhdon deklarata.

OEAK potencon që raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën thekson se pasiguria politike tashmë e ka ngadalësuar rritjen ekonomike në 3.6 për qind në vitin 2025, ka rritur inflacionin dhe ka dobësuar pozitën e jashtme të Kosovës për shkak të rritjes së importeve të energjisë dhe ushqimit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments