Një ushtar francez ka vdekur pasi u qëllua në kokë gjatë një “loje” me ushtarë të tjerë në një festë. Brigadieri Alexandre Lanckbeen (20) pësoi lëndime të rënda në incidentin që ndodhi të shtunën e kaluar, më 8 shkurt, gjatë një feste me alkool në spitalin ushtarak Percy në Clamart, në perëndim të Parisit, raporton BBC .
Guvernatori ushtarak i Parisit, Loïc Mizon, konfirmoi se 20-vjeçari vdiq nga plagët e marra të premten, më 14 shkurt. “Me trishtim të thellë mora lajmin për vdekjen e tij”, shkroi Mizon në një postim në rrjetin social X. “Dua t’u shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes dhe të dashurve të tij dhe t’i siguroj ata për mbështetjen e plotë të forcave të armatosura.”
Brigadier Lanckbeen shërbeu në Regjimentin e 35-të të Artilerisë Parashutiste, me bazë në Tarbes, dhe u vendos si pjesë e një operacioni të gjatë të sigurisë së brendshme të quajtur Sentinelle.
Duke luajtur me një armë të mbushur
Sipas prokurorëve francezë, katër ushtarë të stacionuar në Spitalin Percy filluan një lojë të njohur në ushtri të shtunën në mbrëmje, e cila përfshin përpjekjen për të çarmatosur një koleg dhe për të çaktivizuar armën e tij.
Mediat lokale raportuan se armët zakonisht janë të zbrazëta gjatë lojërave të tilla, por në këtë rast arma ishte e mbushur. Gjatë lojës, u qëllua një e shtënë, duke e goditur Lanckbeen në kokë. Tre ushtarët, të cilët ishin gjithashtu pjesë e Operacionit Sentinelle, u nxorën para një gjykate në Paris të martën, më 11 shkurt.
Një ushtar u akuzua për “dhunë me armë që rezulton në paaftësi të përhershme dhe shkelje të urdhrave duke konsumuar alkool”, sipas raportimeve të medias. Dy ushtarët e tjerë thuhet se u akuzuan për “dëmtim të paqëllimshëm trupor që rezulton në paaftësi për punë për më shumë se tre muaj, për shkak të një shkeljeje të qartë dhe të qëllimshme të rregulloreve të sigurisë”.
Ata akuzohen gjithashtu për “ndryshim të vendit të ngjarjes me qëllim pengimin e drejtësisë”. Pritet që akuzat të riklasifikohen pas vdekjes së Brigadier Lanckbeen. Hetimi është marrë përsipër nga departamenti i hetimeve penale i departamentit Hauts-de-Seine.

