Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, së bashku me zëvendësministren Nora Arapi-Krasniqi, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, i shoqëruar nga Edouard Mayoral dhe Valon Ibraj nga delegacioni i Ambasadës.
Gjatë takimit, ambasadori Guérot e uroi ministren për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit, ka njoftuar Ministria.
Sipas njoftimit diskutimet u fokusuan te projektet që promovojnë trashëgiminë kulturore, teatrin, muzikën dhe filmin, si dhe bashkëpunimi në turizëm në lidhje me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Bogujevci ka falënderuar Ambasadën Franceze për mbështetjen e vazhdueshme dhe rikonfirmoi përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë në realizimin e projekteve me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve kulturore ndërmjet Kosovës dhe Francës.

