Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka thënë se qëndrimi i tyre është i njëjtë, nëse nuk ka një emër konsensual nuk do të qëndrojnë në sallë kur do të dalë në votim kandidati për president.
“Qëndrimi ynë është i njëjtë, kemi qenë pro që të kemi një kandidat për president konsensual. Kemi qenë me zemër që nëse është dikush nga familja Jashari të jemi për, por e pamë rrjedhojën dhe ne respektojmë qëndrimin e tyre. Derisa ka imponime për kandidatin e tyre (LVV), me përgjegjësi të lartë do të qëndrojmë karshi qëndrimeve tona që mos me qenë mbështetës të një pushteti autoritar çfarë po kërkon Kurti”, tha Lushtaku.
Deputeti i PDK-së, pas takimit që kanë pasur si grup parlamentar, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit, nuk ka treguar nëse emri i përfolur, Andin Hoti i ka kërkuar votë PDK-së.
“Ne respektojmë çdo familje të respektuar, dhe Andinin që e kam pasur edhe koleg, por besoj që dihet që ai është vartës i partisë në pushtet, derisa është në Vetëvendosje, ne nuk kemi votë”, tha ai.
I pyetur nëse ka ndodhur ose pritet që gjatë ditës të ndodhë një takim i liderëve LVV-PDK, Lushtaku tha se deri më tani nuk ka ndodhur një takim mes dyshes, ndërsa shtoi se derisa nuk ka afrim të qëndrimeve nuk beson që do të ketë takim.
Lushtaku nuk ka dashur të tregojë emrin e kandidatit për president që PDK-ja do të mund ta prezantonte nëse do të kishte përafrim të qëndrimeve me LVV-në.

