Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës. Ajo tha se këtë e ka bërë pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme.
Vendimin e ka quajtur të domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Sot nënshkrova vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor”, ka bërë të ditur ministrja Kusari-Lila.
Ajo thotë se vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku, siç thotë, është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes.
“Marzha tregtare maksimale e lejuar: Shitja me shumicë: deri në 2 eurocentë për litër. Shitja me pakicë: deri në 12 eurocentë për litër”, ka bërë të ditur Kusari-Lila.
Miknistrja thotë se inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi.
“Llogaritja e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4, paragrafi 1.1 dhe 1.2, të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse. Duke u bazuar në analizën e situatës në treg dhe në kompetencat ligjore të Ministrisë, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, shkroi ajo.
Tutje tha se çdo shkelje apo moszbatim i këtij vendimi do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, derisa shtoi se i njëjti synon të sigurojë konkurrencë të ndershme dhe mbrojtje të konsumatorëve në tregun e Republikës së Kosovës

