Rezoluta për Integrimin Evropian të Malit të Zi kontribuon në forcimin e besueshmërisë së shtetit para partnerëve evropianë dhe konfirmon se integrimi është një detyrim i përbashkët i të gjitha degëve të qeverisjes, tha kryeministri Millojko Spajiq.
“Unë nuk e ndaj optimizmin dhe entuziazmin e propozuesve se miratimi i Rezolutës për Integrimin Evropian të Malit të Zi do të ndryshojë diçka në trendet dhe marrëdhëniet politike brenda shoqërisë malazeze. Vetë propozuesi, Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë, duket se beson se dokumenti i miratuar do të zgjidhë të gjitha problemet historike të vendit,” tha për RTKLive Miodrag Vllahoviq, president i Komitetit të Helsinkit të Malit të Zi (CHO) dhe ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi.
Prioriteti: Anëtarësimi në BE
Duke komentuar dokumentin që u miratua unanimisht dje në parlamentin malazez, Vlahoviq kujton se që nga gushti i vitit 2020 janë miratuar tre ose katër rezoluta të ngjashme, me “praktikisht të njëjtën ide”.
“Në këtë kuptim, nuk kam arsye të besoj se pionët dhe agjentët serbo-rusë nga strukturat parlamentare, përfshirë populistët nga Lëvizja zyrtarisht në pushtet Evropa Tani (PES) e Kryeministrit Spajiq, do të bëjnë diçka më shumë apo më mirë për axhendën evropiane pas miratimit të këtij dokumenti sesa po bëjnë tani. Për më tepër, shkatërrimi dhe çmontimi i synuar i Malit të Zi si shoqëri dhe si shtet nuk do të ndalet,” tha ish-ambasadori i Malit të Zi në Uashington dhe pranë Selisë së Shenjtë.
Vllahoviq beson se, megjithëse dokumenti konfirmon angazhimin evropian të vendit, mbetet e hapur çështja e zbatimit praktik në një ambient politikisht kompleks dhe të polarizuar.
“Edhe pse e kuptoj dokumentin, nuk besoj në përpjekjet politike të opozitës për t’u paraqitur si partner më i mirë për adresat evropiane krahasuar me PES-in e Spajiq dhe udhëheqësit nacionalistë. Nëse kjo do të ishte një mundësi, vendimi përfundimtar dhe detyrues për tentativën e grushtit të shtetit në 2016 do të kishte qenë ndryshe. Ata që nuk kuptuan implikimet e këtij vendimi jashtëzakonisht të dyshimtë dhe problematik mund ta shohin tani,” shtoi diplomati malazez.
Nevoja për konfrontim të qartë
Vllahoviq thekson se pa një përballje të qartë me politikën nazi-shoviniste, me mbështetjen e aleatëve vendas dhe ndërkombëtarë, çdo përpjekje evropiane duket tragjikomike.
“Pa ide dhe programe të reja, pa entuziazëm dhe gatishmëri për t’i rezistuar me vendosmëri rënies së Malit të Zi, nuk mund të ketë përparim,” tha ai.
Presidenti i CHO-së beson se ndikimi real i Rezolutës do të varet nga gatishmëria e aktorëve politikë për ta shndërruar axhendën evropiane në veprime konkrete, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe stabilitetit institucional. Përndryshe, paralajmëron ai, dokumenti mund të mbetet thjesht simbolik.
Konteksti ndërkombëtar
Vllahoviq vëren se kuadri ndërkombëtar, kryesisht lufta në Ukrainë, ka ndryshuar prioritetet e sigurisë së Evropës. Procesi i zgjerimit të BE-së ka rifituar rëndësinë e tij, megjithëse Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i ndjeshëm ndaj dobësive të brendshme të vendeve kandidate. Në këtë kontekst, mbështetja deklarative nuk mjafton; rezultatet e matshme janë thelbësore.
“Anëtarësimi në BE është një përparësi historike për Malin e Zi, por nuk mund të arrihet duke përsëritur fraza ose duke injoruar problemet serioze politike. Sot, vendit i duhen ‘Malazezë të Rinj’,” tha Vllahoviq.
“Në rrethanat aktuale shoqërore dhe politike, shoqëria malazeze ka nevojë për njerëz të guximshëm, modernë dhe të vendosur, të cilët, përmes dokumenteve joorigjinale — deklaratave dhe rezolutave — nuk do të përpiqen t’u kënaqin burokratëve aktualë të BE-së. Ata do të dinë se si, si alternativë ndaj përzierjes ekzistuese të politikës populiste (Kryeministri Spajiq, Ministri i Jashtëm Ervin Ibrahimoviq) dhe asaj nazi-shoviniste (Kryetari i Parlamentit Andrija Mandiq, Deputeti Milan/Knezheviq dhe Zëvendëskryeministri Aleksa Beçiç), të rekomandohen dhe të imponohen si për BE-në, ashtu edhe për Malin e Zi,” përfundoi ambasadori për RTKLive.
Provë e pjekurisë politike
Deputetët e Parlamentit të Malit të Zi dje miratuan një Rezolutë që përcakton anëtarësimin në Bashkimin Evropian si prioritetin më të rëndësishëm strategjik të politikës shtetërore. Dokumenti shpreh bindjen se kapitujt e mbetur të negociatave mund të mbyllen deri në fund të vitit 2026 dhe nënvizon detyrimin për angazhim maksimal institucional.
Rezoluta parashikon forcim të diplomacisë parlamentare ndaj vendeve anëtare të BE-së, koordinim midis Parlamentit, Qeverisë dhe Presidentit, si dhe bashkëpunim më intensiv me sektorin civil dhe median për të forcuar konsensusin shoqëror. Theksi kryesor është vendosur mbi sundimin e ligjit, demokracinë multietnike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si parakushte themelore për integrim të suksesshëm.
Kryetari i Komitetit për Integrimin Evropian dhe deputeti i opozitës, Ivan Vukoviq, vlerësoi rezolutën si një mesazh të fortë të unitetit politik dhe pjekurisë, duke theksuar se rruga evropiane tejkalon dallimet partiake dhe përfaqëson një detyrim brezash.
Qeveria gjithashtu shprehu qëndrim pozitiv, me Millojko Spajiq që deklaroi se Rezoluta rrit besueshmërinë e shtetit para partnerëve evropianë dhe konfirmon se integrimi është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha degëve të qeverisjes.
Dokumenti u mbështet nga anëtarët e Parlamentit, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita, duke krijuar një shembull të rrallë të konsensusit formal në mandatin aktual parlamentar.
Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon tema nga rajoni.

