Kushtetuesja ka konfirmuar se ka nisur shqyrtimin e kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të shërbejë si pikënisje për zhvillimet e mëtejshme politike, ndërsa vazhdojnë kundërshtimet për zgjedhje të reja dhe thirrjet për daljen nga kriza institucionale.
Legjislativi mbetet në pauzë, në pritje të një vendimi të Kushtetueses, që tashmë është duke shqyrtuar kërkesën e Vetëvendosjes lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Se rasti tashmë ka hyrë në fazë shqyrtimi, e ka konfirmuar edhe sekretari i përgjithshëm i Kushtetueses, Veton Dula.
Zgjidhja më e përshtatshme, sipas shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, është vazhdimi i afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Për më tej ajo kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke nënvizuar se nuk do të sillnin ndryshim, por do t’i thellonin humbjet e deritanishme.
“Në këtë linjë ne presim që edhe Gjykata Kushtetuese në afatin më të shpejtë të mundshëm, pra sapo të përfundojë masa e përkohshme që është e vendosur më 31 mars, të nxjerrë një vendim në favor të adresimit që ne i kemi bërë, gjegjësisht të shpallë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit si jokushtetues”, tha Nagavci.
Nagavci pret që Kushtetuesja, pas përfundimit të masës së përkohshme më 31 mars, ta shpallë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit si jokushtetues, duke i hapur rrugë vazhdimit të punës së legjislativit.
Ndërkohë, opozita vazhdon kritikat në adresë të Vetëvendosjes.
“Partia Demokratike e Kosovës natyrisht që është e gatshme me shkua në zgjedhje, por natyrisht që ne kemi parapëlqyer që të kemi një stabilitet politik, që të mos shkojmë në zgjedhje, që të mos krijojmë skena të kaosit, të mungesës së parashikueshmërisë, të mungesës së sigurisë”, tha Artan Behrami, deputet nga PDK.
Lidhja Demokratike nuk ka shprehur gatishmëri për shprehje të qëndrimit. E Time Kadriaj e AAK-së, në një përgjigje me shkrim, nënvizon se Kosova po humb në këtë situatë, ndërsa përfitues, sipas saj, është Serbia, duke shtuar se zgjedhjet janë tashmë opsion i pashmangshëm. Ndër qytetarë, mendimet mbeten të ndara. Disa kritikojnë klasën politike për mungesë pjekurie dhe kundërshtojnë zgjedhjet e reja, ndërsa të tjerë i shohin ato si të domosdoshme për dalje nga kriza.
“Kjo gjeneratë e deputetëve që e kemi duket se nuk janë të pjekur sa duhet sepse një vend që shkon i humb dy vite në zgjedhje për gjëra të zgjedhjeve pozitë e opozitë tregon që ne në të vërtetë kemi problem me njerëzit, po shpresoj që nuk shkojmë në zgjedhje”, tha Izet Zhuja, qytetar.
“Situata është shumë e keqe, marrëdhëniet ndërmjet partive janë shumë të këqija, deri kur ata e dinë….. po si nuk do të ishte më mirë, me ecë institucionet, me punua më mirë, me qenë të lidhur njëri me tjetrin”, tha Jashar Ismaili, qytetar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës pritet ta përcaktojë drejtimin e ardhshëm politik të vendit.

