Një zjarr në një anije mallrash ruse , e cila u godit nga dronë në Detin Baltik , vazhdoi të digjej gjatë gjithë natës, pavarësisht përpjekjeve për ta shuar atë, njoftoi të dielën roja bregdetare finlandeze.
Ushtria finlandeze tha se sulmi ndaj Sparta II të shtunën ka të ngjarë të jetë kryer nga Ukraina dhe se anija më pas është shtyrë në ujërat finlandeze, ku mbetet e ankoruar. 16 anëtarët e ekuipazhit u zhvendosën dhe u transferuan në një anije ruse aty pranë.

Imazhet dhe videot e publikuara nga roja bregdetare treguan disa anije që qëllonin me topa uji drejt anijes Sparta II gjatë natës në një përpjekje për të shuar flakët dhe për të ftohur kontejnerët e grumbulluar në kuvertën e saj.
Këtë vit, Ukraina ka lëshuar valë dronësh ushtarakë në rajonin bregdetar të Leningradit të Rusisë në veriperëndim. Disa prej tyre kanë hyrë gabimisht në hapësirën ajrore të shteteve fqinje baltike, duke ngritur frikën se lufta mund të përhapet në territorin e NATO-s.
Anija, e cila po shkonte drejt enklavës ruse të Kaliningradit, pësoi dëme në ujërat ndërkombëtare në perëndim të ishullit rus të Gogland, sipas Forcave të Mbrojtjes Finlandeze, të cilat konfirmuan një raport nga zyrtarët rusë.
Rreziku i sulmeve të mëtejshme në Gjirin e Finlandës – një seksion i ngushtë i Detit Baltik – nuk mund të përjashtohet, tha të dielën për transmetuesin publik ERR komandanti i Marinës Estoneze Ivo Vark.
Ushtria finlandeze raportoi javën e kaluar se kishte zbuluar një sulm ndaj një anijeje luftarake ruse në të njëjtën zonë, gjatë sulmeve nga dronë ukrainas.

Sparta II është një anije mallrash me flamur rus, 121 metra e gjatë, në pronësi të kompanisë ruse të transportit detar Oboronlogistika. Sipas të dhënave të LSEG, anija u nis nga Shën Petersburgu të premten.
Anija është subjekt i sanksioneve të SHBA-së, sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
Oboronlogistika ofron shërbime të zinxhirit të furnizimit (logjistikë) për Ministrinë e Mbrojtjes Ruse, siç thuhet në faqen e internetit të kompanisë.
Burimi: Reuters

