Situata financiare në Transmetuesin e vetëm publik po hyn në fazë kritike, ndërkohë që afati i shtyrjes së përkohshme të ekzekutimit përmbarimor po i afrohet fundit.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të RTK-së për një shtyrje më të gjatë, përmbaruesi privat Flamur Bogaj, nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij. Në kuadër të kësaj, më 20 mars të këtij viti, pritet që të procedohet me tërheqjen e mbi 800 mijë eurove nga llogaritë e transmetuesit publik, një veprim që rrezikon seriozisht funksionimin normal të RTK-së.
Pavarësisht argumentimit se RTK ndodhet në vështirësi objektive financiare për shkak të mungesës së ndarjes së buxhetit të plotë, për këtë vit dhe se ekzekutimi i menjëhershëm do të sillte bllokim të llogarive, pamundësi për paga dhe përmbushje të obligimeve bazike, kërkesat nuk kanë gjetur mirëkuptim.
Madje Zyra Ligjore e Televizioni Publik me datë 12.03.2026, në cilësinë e përfaqësueses së debitorit, ka dërguar ri kërkesë në adresë të përmbaruesit privat Flamur Bogaj për shtyrjen e procedurës së përmbarimit, duke argumentuar rrethanat e reja, përkatësisht njoftimin mbi gjendjen e rëndë financiare në të cilën gjendet aktualisht Radiotelevizioni i Kosovës, me kërkesë për rishqyrtim të Konkluzionit të datës 20.02.2026.
Kjo kërkesë i është përcjellë kreditorit N.SH. “Grand Media” me pronar Enis Ujkani, nga përmbaruesi privat, e cila është refuzuar, me kërkesën për një marrëveshjeje tjetër, e cila tejkalon vlerën e detyrimit sipas aktgjykimit të Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Dytë, me kushte të reja, rikthimin e emisionit “Kush do të bëhet milioner”, duke lidhur kontratë jo më pak se pesë vite dhe jo më gjatë se dhjetë 10 vite.
Gjithashtu, Zyra Ligjore ka ndërmarrë edhe veprime të tjera ligjore, respektivisht ka parashtruar:
– Ankesë nr. 0445/26 me datë 26.02.2026 ndaj veprimeve të përmbaruesit privat Flamur Bogaj, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë;
– Parashtresë nr. 0598/26 dt. 16.03.2026 për njoftim mbi parregullsitë në procedurën përmbarimore, drejtuar Gjykatës Komerciale ? Dhomat e Shkallës së Parë;
– Parashtresë nr. 0599/26 dt. 16.03.2026 me kërkesë për shtyrje të procedurës përmbarimore, drejtuar Gjykatës Komerciale ? Dhomat e Shkallës së Parë;
Po ashtu, Zyra Ligjore, nënvizon se me datë 5.12.2025 ka parashtruar mjetin e jashtëzakonshëm ? Revizion në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit K.DH.SH.II.nr.1562/24 por që ende nuk ka përgjigje për një vendimmarrje.
Për këtë çështje tashmë është njoftuar edhe Ministria e Drejtësisë. E para e këtij dikasteri, Donika Gërvalla, tha se i ka parë me shqetësim lëndët përmbarimore, duke vënë në pah se përmbaruesit duhet t’u nënshtrohen ligjeve të vendit.
“E kam kuptuar që ka një problem serioz në këtë mes, e kam diskutuar me departamentet përkatëse dhe ua kam bërë me dije edhe departamenteve, po shfrytëzoj edhe rastin ta bëjë me dije publikisht edhe për përmbaruesit, por edhe për të tjerët që nuk ka mundësi përmbaruesi qoftë me mbulesë apo pa mbulesë të gjyqtarit, si sillet në forma të paligjshme. Kështu që, edhe përmbaruesi duhet t’i nënshtrohen të njëjtave ligje që iu nënshtrohemi edhe ne sepse duhet t’i nënshtrohemi ligjit, kjo është primare për bashkëjetesën brenda një shteti demokratik dhe me vëmendje shumë të veçantë dhe me shumë kujdes i kam parë të gjitha ankesat që më kanë ardhur për procedurat e përmbarimit”, tha ajo.
Madje Gërvalla është e njoftuar për përmbaruesin Flamur Bogaj, i cili sipas saj është i njohur për komisionet disiplinore.
“Përmbaruesi në fjalë nuk është i ri për Komisionin Disiplinor sepse ka edhe procedurat të tjera që janë ndjekur ndaj tij, ndaj nuk ka qenë befasi”, tha ajo.
Megjithatë, nëse ekzekutimi realizohet siç është paralajmëruar më 20 mars, e që i bie brenda tre ditësh , Radiotelevizioni i Kosovës rrezikon të përballet me një krizë të thellë funksionale, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm stabilitetin financiar, por edhe misionin e tij si transmetues publik në shërbim të qytetarëve.

