Gjatë një jave pune, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar dhjetëra raste të natyrave të ndryshme, ku dominon dukshëm dhuna në familje, si një ndër shqetësimet kryesore në vend.
Gjatë periudhës 13.03.2026–19.03.2026, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 39 raste të reja të paraqitura. Sipas të dhënave, shumica e rasteve kanë të bëjnë me dhunë në familje (35 raste), ndërsa nga një rast është regjistruar për dhunim, degradim të integritetit seksual, kanosje, krime lufte dhe referim të rastit në polici.
Po ashtu, janë bërë 9 referime të rasteve në QPS, janë paraqitur 5 kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) dhe 13 kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME), si dhe 2 kërkesa për ndërprerje të Urdhrit Mbrojtës. Gjatë kësaj periudhe janë aprovuar 16 aktvendime.
Në aspektin e veprimeve procedurale, janë zhvilluar 63 seanca gjyqësore dhe 12 seanca në prokurori, ndërsa janë ofruar 48 këshilla juridike. Gjithashtu, janë shqyrtuar 2 raste për përfaqësim në strehimore dhe 2 raste për përfaqësim në polici.
Nga aktvendimet, një është tërhequr, një është refuzuar, ndërsa është regjistruar edhe një kërkesë për kompensim nga fondi i viktimave.
Në këtë periudhë janë evidentuar 11 aktgjykime dënuese, një refuzues dhe një lirues.

