Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka nënshkruar vendimin përmes së cilit obligon të gjithë operatorët e gurëthyesve që në mënyrë të prerë e të menjëhershme t`i nënshtrohen procesit të verifikimit të plotë të pajtueshmërisë ligjore, teknike e mjedisore.
“Për vite me radhë, malet dhe peizazhet tona të bukura janë dëmtuar nga shfrytëzimi shpeshherë i pakontrolluar dhe përtej lejeve nga veprimtaria e gurëthyesve. Prandaj, sot kam nënshkruar një vendim urgjent dhe të pakompromis për vendosjen e rregullit në këtë sektor”, ka bërë të dtur Pacolli.
Ministrja ka treguar se bazuar në këtë vendim, operatorët obligohen që brenda 15 ditëve t’i përgjigjen kërkesës së ministrisë.
“Ky afat është i padiskutueshëm dhe mosdorëzimi i dokumentacionit brenda afatit rezulton në humbje të së drejtës për shqyrtim administrativ dhe aktivizon inspektimin e jashtëzakonshëm të menjëhershëm në terren”, thotë ajo.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se pasuria e Kosovës është pasuri e përbashkët, prandaj, sipas saj, çdo shfrytëzim i saj duhet të bëhet në përputhje me ligjin.

