Policia e Shtetit të Shqipërisë, ka njoftuar për tre persona të arrestuar në pikën kufitare në Morinë, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar e kombëtar.
Policia shqiptare, ka bërë të ditur se të arrestuarit janë M.G , 65 vjeç banues në Kosovë, Xh.S , 47 vjeç, banues në Prishtinë, dhe, R. P., 36 vjeç, banues në Kosovë,
M. G., 65 vjeç, banues në Kosovë u arrestua me qëllim ekstradimin në Gjermani. Verifikimet me Interpol Tiranën zbuluan se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Frankfurtit e kishte dënuar me 4 vjet e 1 muaj burgim për veprat penale “Vjedhja”, “Grupi kriminal” dhe “Organizata kriminale”. Atij i kanë mbetur për të kryer 18 muaj burgim.
Xh. S., 47 vjeç, banues në Prishtinë u arrestua me qëllim ekstradimin në Kuvajt. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kuvajtit për veprën penale “Vjedhja e rëndë”.
Ndërsa R. P., 36 vjeç, banues në Kosovë u ndalua pasi ishte shpallur në kërkim kombëtar nga Gjykata e Tiranës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Veprimet procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Tiranë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët ndërkombëtarë, vijon procedurat për ekstradimin e dy shtetasve të parë.

