Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka potencuar se matësit e energjisë elektrike janë të besueshëm dhe të sinkronizuar sipas standardeve zyrtare, duke ritheksuar përkushtimin për matje të sakta, të besueshme dhe transparente të konsumit për të gjithë konsumatorët.
Sipas komunikatës së KEDS-it, të gjithë matësit e energjisë elektrike kalibrohen dhe sinkronizohen me kohën zyrtare në momentin e instalimit, duke siguruar funksionim me saktësi maksimale. KEDS thotë se sistemet e matjes janë të dizajnuara në mënyrë që çdo konsumator të përfitojë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga aplikimi i tarifave, përfshirë tarifat e ulëta, sipas përcaktimeve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Në komunikatë thuhet se sinkronizimi i orës në njehsorë është realizuar me nivel të lartë precizioni, duke garantuar që të gjithë konsumatorët kalojnë në tarifën e ulët në të njëjtën kohë, në përputhje me rregullat dhe standardet në fuqi.
KEDS ka bërë të ditur se në raste të izoluara mund të ndodhin devijime të vogla për arsye teknike, por sipas saj, edhe në këto raste kohëzgjatja e përfitimit me tarifë të ulët dhe të lartë mbetet e saktë. Në komunikatë thuhet se në rast të ndonjë shpërputhjeje kohore, KEDS reagon menjëherë ndaj çdo ankese apo vërejtjeje nga konsumatorët, ndërsa ekipet teknike verifikojnë situatën në terren dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme për zgjidhjen e problemit.
Në të njëjtën komunikatë, KEDS u ka bërë thirrje partive politike dhe palëve të tjera që të përmbahen nga deklaratat e pa verifikuara që, sipas saj, nuk përkojnë me realitetin.
KEDS ka njoftuar gjithashtu se në kuadër të modernizimit të rrjetit është në proces të vazhdueshëm të zëvendësimit të njehsorëve të vjetër me njehsorë të rinj digjitalë, të cilët ofrojnë saktësi të lartë në matje. Sipas komunikatës, vetëm gjatë vitit të kaluar janë instaluar mbi 130 mijë njehsorë të rinj digjitalë.
Në fund, KEDS ka theksuar se Kosova është një nga vendet lidere sa i përket digjitalizimit të njehsorëve dhe se kompania mbetet e përkushtuar për të rritur më tej dinamikën e investimeve, në përputhje me kornizën rregullative, duke shtuar se ekzistojnë kufizime të përcaktuara nga rregullatori. Po ashtu, kompania u ka bërë thirrje partive politike që të shmangin politizimin e kësaj çështjeje dhe përdorimin e saj për përfitime politike.

