Këshilli Prokurorial i Kosovës ka themeluar Komisionin mbikëqyrës për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik të sistemit prokurorial 2025–2027.
Erza Bajrami është emëruar kryetare e këtij komisioni, ndërsa anëtarë janë emëruar Shkelzen Ibrahimi dhe Besim Kelmendi.
Këshilli gjithashtu shqyrtoi edhe çështjen e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, përkatësisht vazhdimin e mandatit për anëtarët aktualë Nazan Shero dhe Aleksandër Lumezi.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, tha se nuk ekziston bazë ligjore për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, por vetëm për rikonfirmimin e mandatit të atyre aktualë.
Ndërkaq anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, kundërshtoi këtë qëndrim duke theksuar nevojën për një përbërje të re të komisionit dhe duke ngritur shqetësime për mënyrën e emërimit të mëhershëm dhe funksionimin e tij.
Sipas tij, propozimet duhet të vijnë nga kryeprokurorët e prokurorive, ndërsa shtoi se Komisioni nuk ka përmbushur në tërësi obligimet e tij, përfshirë vlerësimin e performancës edhe në terren.

