Oda Amerikane dhe ministrja Kusari-Lila diskutojnë për përmirësimin e klimës së biznesit
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka zhvilluar një takim pune me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Sipas njoftimit nga OEAK, gjatë takimit, ministrja Kusari Lila prezantoi vizionin dhe programin e ministrisë, duke theksuar prioritetet e politikave publike dhe agjendën legjislative që synon përmirësimin e kornizës rregullative dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bizneset në vend. Ajo veçoi projektet kyçe, përfshirë transformimin e gjelbër të parqeve industriale dhe ndërtimin e parqeve të reja sipas parimeve të ekonomisë qarkore.
Një ndër objektivat strategjikë të paraqitur ishte ulja e deficitit tregtar përmes mbështetjes së prodhimit vendor, përfshirë trajtimin preferencial në kontratat publike. Po ashtu, u prezantuan edhe ligjet prioritare, si ai për çmimet tavan në situata krize, ligji për inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe ligji për pagesat e vonuara, në përputhje me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Odës Amerikane ngritën disa shqetësime të komunitetit të biznesit, duke kërkuar rishikimin e barrës fiskale për derivatet e naftës dhe hartimin e një kornize ligjore që adreson humbjet gjatë operimit të bizneseve. Gjithashtu, u theksua nevoja për mbështetje më të madhe për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, sidomos në zhvillimin e fuqisë punëtore.
Ministrja njoftoi edhe për transformimin e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), duke përfshirë mbështetjen për ndërmarrjet e reja, fuqizimin e grave dhe komuniteteve joshumicë, si dhe funksionalizimin e Fondit për Inovacion. Integrimi i arsimit dual profesional u vlerësua si një element i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë ekonomik.
Në përfundim, Kusari-Lila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin privat dhe shprehu gatishmërinë për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

