Debati për ekspozitën e krimeve të luftës në Prishtinë nuk është thjesht një polemikë rreth një projekti artistik apo dokumentar; është një krizë e besueshmërisë institucionale dhe një lëndim i vetëdijshëm i memories kolektive. Kryetarja Albulena Haxhiu në arsyetimin e saj, theksoi se Kryesia e Kuvendit nuk ka kompetencë verifikimin e të dhënave. Problemi këtu është se ata kanë ndarë mjete pa kërkuar një certifikim paraprak nga Instituti për Krimet e Luftës apo institucionet përkatëse.
Kur një ekspozitë apo libër që dokumenton masakrat subvencionohet nga Kuvendi, pritet që çdo datë, emër dhe rrethanë të jetë e kopsitur shkencërisht. Pasojat nuk janë vetëm politike, morale por edhe shpirtërore për ata që e vuajtën në burg. Çdo pasaktësi nuk është thjesht një “gabim teknik”, por një lëndim i memories kolektive dhe një dhuratë e padëshiruar për ata që mohojnë këto krime. Nëse institucionet bëjnë ndonjë gabim, Akademia do të duhej të ishte e para që të reagonte me një komunitet recensentësh. Por kur ajo qëndron pasive, ajo nuk po bën thjesht “gjumë”, por po krijon një vakuum autoriteti. Në mungesë të zërit të tyre të bazuar në fakte dhe shkencë, hapësira mbushet nga amatorizmi, politizimi dhe deklaratat e rrezikshme e të paargumentuara. Është i habitshëm fakti që ky institucion që paguhet miliona euro nuk ka një rol filtrues për këto botime? Pse lejohet që tema kaq sensitive t’u lihen në dorë njerëzve jo-kompetentë apo OJQ-ve që nuk kanë kapacitete kërkimore, ndërkohë që “truri” i shtetit qëndron i mbyllur në zyra?
Nëse Kuvendi po ndryshon rregulloren për subvencionime, duhet të kërkohet që ASHAK të jetë ligjërisht përgjegjëse për recensionin e çdo libri historik që financohet nga shteti. Nëse libri del me gabime, përgjegjësia morale dhe profesionale bie direkt mbi Akademinë.
Asnjë projekt që dokumenton krime lufte nuk duhet të kalojë pa një Opinion Profesional të shkruar nga Instituti për Krimet e Luftës. Ata duhet të konfirmojnë nëse shifrat, emrat dhe lokacionet përputhen me bazën e tyre të të dhënave. Duhet edhe një komision historianësh për të verifikuar kontekstin dhe vërtetësinë e fotografive apo dëshmive. Ndryshe gabimet do të jenë edhe më të rënda./Koment i redaksise

