Serbia vazhdon të mbajë një këmbë fort në kampin e Lindjes.Ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq bisedoi sot me ambasadorët e Federatës Ruse, Alexander Botsan-Kharchenko dhe të Republikës së Bjellorusisë, Sergey Malinovsky, rreth marrëdhënieve dypalëshe, situatës rajonale dhe çështjeve aktuale gjeopolitike. Krerët e misioneve diplomatike bjelloruse dhe ruse paraqitën informacione mbi nismat ndërkombëtare të promovuara bashkërisht nga Bjellorusia dhe Rusia.
Nw rrjetin X Gjuriq theksoi se nga dy ambasadoret u informua rreth zhvillimit të iniciativës ruso-bjelloruse për një siguri të re euroaziatike.”U diskutuan gjithashtu mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në fushat me interes të përbashkët, ku unë theksova se Serbia po monitoron nga afër të gjitha iniciativat që kontribuojnë në ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, ka theksuar Gjuriq.Nga ky takim mund te thuhet se elementi më i ri dhe më domethënës është përmendja e “iniciativës ruso-bjelloruse për një siguri të re euroaziatike”.
Kjo lëvizje sugjeron se Serbia po flirton me arkitektura të sigurisë që janë alternative (dhe shpesh kundërshtuese) ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Duke thënë se Serbia “po monitoron nga afër” këtë nismë, Gjuriqi dërgon një sinjal se Beogradi nuk e sheh veten të lidhur ekskluzivisht me strukturat perëndimore.
Ambasada ruse e përshkroi të gjithë këtë në këtë mënyrë në deklaratën e saj:”Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua temës së multipolaritetit dhe forcimit të bashkëpunimit në kontinentin euroaziatik. U diskutuan në detaje sfidat bashkëkohore globale dhe rajonale. U theksua rëndësia e çështjes së Kosovës, e cila duhet të zgjidhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila konfirmon sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën”.
Ambasada ruse përdor termin “multipolaritet”, i cili është kodi diplomatik i Moskës për sfidimin e SHBA-së dhe Perëndimit.Ndersa për Serbinë, kjo kornizë shërben si një mjet për të justifikuar marrëdhëniet e ngushta me Moskën dhe Minskun, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit që këto dy vende kanë nga pjesa tjetër e Evropës. Kosova mbetet kolona kryesore ku mbështetet ky bashkëpunim. Mbështetja e Rusisë dhe Bjellorusisë për Rezolutën 1244 i jep Beogradit fuqi bllokuese në organizatat ndërkombëtare (si OKB). Por duke mbajtur çështjen e e Kosovës, Rusia ruan ndikimin e saj në Ballkan dhe e përdor atë si monedhë shkëmbimi për interesat e saj në Ukrainë ose gjetkë./Kosovatimes

