Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore ne Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.D., nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut.
Sipas kërkesës së prokurorisë, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan.
Ndërsa 91 meshkuj u ndanë nga rreth 400 burra, gra, pleq e fëmijë të grumbulluar, dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik.
Në njoftim tutje thuhet se prej tyre 13 civilë u ndaluan me qëllim të marrjes në pyetje, me ç ‘rast u rrahën dhe u torturuan në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike nga i pandehuri A. D., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit.

