Monday, April 20, 2026
HomeLajmeKosovëAzemi e Manxhuka dënohen me nga 18 muaj burgim për nxitje të...

Azemi e Manxhuka dënohen me nga 18 muaj burgim për nxitje të përçarjes

Gjykata ka shpallur fajtor deputetin e Vetëvendosjes, Egzon Azemi, dhe zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, duke i dënuar secilin me nga një vit e gjashtë muaj burgim.

Po ashtu, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj janë shpallur fajtorë për veprën penale “kanosje” dhe janë dënuar secili me nga gjashtë muaj burgim.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Kushtrim Shyti (kryetar i kolegjit), si dhe anëtarët Violeta Namani dhe Avi Syla. Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancë ishte i pranishëm vetëm Edi Zenelaj, ndërsa munguan të akuzuarit Azemi, Manxhuka dhe Elshani, si dhe prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu.

Rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 27 tetor 2025, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 7 mars 2025 kishte liruar Manxhukën nga akuza, ndërsa Azemin, Elshanin dhe Zenelajn i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 8 nëntor 2023, duke i ngarkuar Azemin dhe Manxhukën për nxitje të përçarjes, ndërsa Elshanin dhe Zenelajn për kanosje ndaj gjykatësit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu.

Menjëherë pas shqiptimit të dënimit, ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, i cili ka kritikuar ashpër vendimin e gjykatës dhe sistemin e drejtësisë.

Në reagimin e tij, Azemi ka deklaruar se “ata që lirojnë terroristët serbë që gjuajnë bomba duan të na dënojnë neve aktivistëve shqiptarë vetëm sepse reaguam ndaj këtij skandali”.

“Arlind Manxhuka dhe unë sot u dënuam nga 1 vit e 6 muaj burg, pa asnjë provë nga sistemi i vjetërsuar i drejtësisë që liron terroristët serbë. Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani u dënuan me nga 6 muaj burgim. Krejt kjo nga ata që i nënshtrohen Serbisë”, ka shkruar ai. 

Sipas tij, në total 4 vite burg për ata që reagojnë kur lirohen kriminelët serbë që gjuajnë bomba e vrasin policë.

“Çantat që vijnë andej kufirit të Republikës kurrë nuk do të na mbyllin gojën. Rroftë Republika e Kosovës, turp atyre që lirojnë kriminelë serbë e neve na dënojnë veç pse reagojmë!”, ka shkruar ai.

Previous article
Next article
RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments