Saturday, April 18, 2026
HomeSportKosova U19 në kategorinë e vajzave triumfon ndaj Ishujve Faroe

Kosova U19 në kategorinë e vajzave triumfon ndaj Ishujve Faroe

Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave ka shënuar fitore ndaj Ishujve Faroe U19 me rezultat 5:2, në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, Liga B.

Ishujt Faroe kanë kaluar në epërsi në minutën e trembëdhjetë me golin e Sigurdsson. Megjithatë, reagimi i “Dardaneve” ka qenë i shpejtë. Meha ka barazuar shifrat në minutën e gjashtëmbëdhjetë, ndërsa Gashi (26’) dhe Kallaba (29’) e kanë përmbysur rezultatin brenda pak minutash.

Skuadra kundërshtare ka arritur ta ngushtojë epërsinë në 3:2 me golin e Benjaminsen në minutën e tridhjetë e nëntë, por pjesa e dytë i ka takuar plotësisht Kosovës. Meha ka qenë sërish protagoniste, duke realizuar edhe dy herë të tjera në minutat shtatëdhjetë e tetë dhe në minutën e dytë të kohës shtesë, duke kompletuar tregolëshin dhe duke e vulosur fitoren 5:2.

Pas tri ndeshjeve në grup, Kosova U19 ka grumbulluar gjashtë pikë dhe renditet në vendin e parë me golaverazh mbresëlënës 11:3, duke lënë pas Ishujt Faroe me të njëjtin numër pikësh, por me diferencë më të dobët golash. Lituania dhe Moldavia renditen në pozitat e fundit.

Pas ndeshjes, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka përgëzuar ekipin për paraqitjen. 

“Tjetër fitore për Dardanet U19. Urime triumfi 5:2 ndaj Ishujve Faroe. Ishte një rikthim i shkëlqyeshëm pas humbjes nga Lituania dhe një paraqitje me karakter të lartë pas disavantazhit fillestar. Me 6 pikë të grumbulluara presim me vëmendje epilogun e grupit. Pavarësisht rezultatit final, ky ekip ka treguar potencial dhe shpirt gare që na bën krenarë,” ka thënë ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments