Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufi, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Kosovë, i shoqëruar nga një delegacion i lartë ku bënin pjesë gjenerallejtënant Arben Kingji, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj dhe atasheu ushtarak, kolonel Beqir Tafili.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ministri Nufi zhvilloi takime me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe me komandantin e KFOR-it. Në fokus të këtyre takimeve ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe koordinimi i mëtejshëm ndërmjet dy vendeve dhe strukturave ndërkombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte edhe takimi me trupat shqiptare të angazhuara në mision në Pejë, ku u vlerësua kontributi i tyre në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
“Në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, ministri u prit nga ambasadori Malaj, ku u theksua mbështetja e vazhdueshme për Kosovën dhe bashkëpunimi me KFOR-in dhe trupat shqiptare në mision”, thuhet në njoftim.

