Sunday, April 26, 2026
HomeLajmeKosovëASHAK: Rexhep Qosja, personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës shqiptare

ASHAK: Rexhep Qosja, personalitet i jashtëzakonshëm i kulturës shqiptare

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta në moshën 89 vjeçare të akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit të njohur Rexhep Qosja, anëtar i kësaj akademie dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

ASHAK u shpreh ngushëllime familjarëve, derisa ka bërë të ditur se lajmin e hidhur e kanë marrë gjatë një aktiviteti të përbashkët të organizuar në Tiranë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

“Sot, gjatë një aktiviteti të përbashkët të organizuar në Tiranë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, mësuam lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit Rexhep Qosja, anëtar i ASHAK dhe anëtar nderi i ASHSH-së, një prej figurave më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar”, thuhet në reagim.

Në reagimin e saj, ASHAK e ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin e Qosjes, duke e cilësuar atë si një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës shqiptare.

“Akademik Rexhep Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare, studiues i përkushtuar, shkrimtar dhe intelektual me ndikim të gjerë në zhvillimet shkencore, letrare dhe shoqërore”, thuhet më tej.

Sipas ASHAK-ut, veprimtaria e tij shumëdimensionale u karakterizua nga një qasje kritike dhe e argumentuar, e mbështetur në parime të larta akademike, duke dhënë një kontribut të veçantë në konsolidimin e mendimit albanologjik dhe afirmimin e identitetit kulturor e historik shqiptar.

Akademia thekson se trashëgimia që Qosja la pas do të mbetet një vlerë e çmuar shkencore dhe letrare, duke shërbyer si burim referimi dhe frymëzimi për brezat e ardhshëm.

“Përmes angazhimit të tij intelektual dhe publik, ai luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe në ndërtimin e diskursit kritik në shoqërinë shqiptare”, thuhet në reagim.

ASHAK shton se të dy akademitë, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, shprehin mirënjohje dhe vlerësim të lartë për kontributin e tij të pashlyeshëm në zhvillimin e shkencës, kulturës dhe mendimit bashkëkohor shqiptar, si dhe për rolin e tij në forcimin e bashkëpunimit ndërakademik në hapësirën shqiptare.

Në fund, ASHAK thekson se kujtimi, vepra dhe kontributi i akademik Rexhep Qosjes do të mbeten të përhershme në fondin e kulturës dhe shkencës shqiptare, si dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit shqiptar.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram