Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka propozuar heqjen e parimit të votimit unanim në politikën e jashtme dhe të sigurisë brenda Bashkimi Evropian, duke e zëvendësuar atë me vendimmarrje me shumicë.
Sipas tij, kjo do ta bënte BE-në më funksionale dhe më afër parimeve demokratike.
“Në një demokraci, parimi i shumicës është normë, ndërsa unanimiteti përjashtim. Dhe ne duhet ta bëjmë normën e demokracisë edhe normë në Bashkimin Evropian. Vetëm në këtë mënyrë Evropa mund të mbetet e aftë për të vepruar”, tha Wadephul.
Ai shtoi se ka një moment të favorshëm politik për të ndërmarrë këtë ndryshim, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Hungari dhe në raportet e saj me BE-në.
Sipas Wadephulit, çdo vonesë është e kushtueshme. “Çdo muaj ka rëndësi, madje edhe çdo javë”, paralajmëroi ai.
Nëse ky propozim do të miratohej, do të ndryshonte mënyrën e vendimmarrjes në BE dhe mund të kishte ndikim edhe në proceset e zgjerimit, përfshirë rastin e Kosovës, pasi vendimet nuk do të mund të bllokoheshin më nga veto individuale e shteteve anëtare.
Në anën tjetër, BE-ja së fundmi ka arritur marrëveshje për zhbllokimin e një kredie të madhe për Ukrainën dhe vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, pasi Hungaria hoqi dorë nga kundërshtimi i saj.

