Trepça ka vazhduar formën e mirë këtë sezon të garave, duke shënuar fitore ndaj Pejës me rezultat 86-78 (24:21, 24:16, 13:17, 25:24) në ndeshjen e parë gjysmëfinale të ‘play-off-it’.
Në palestrën “Minatori”, vendasit treguan paraqitje të qëndrueshme gjatë gjithë takimit, duke e kontrolluar lojën në momentet kyçe. Çereku i parë u mbyll me epërsi minimale të Trepçës (24-21), ndërsa diferenca u thellua në periudhën e dytë, ku mitrovicasit dominuan për 24-16 dhe shkuan në pushim me 11 pikë avantazh.
Peja reagoi në çerekun e tretë, duke e ngushtuar rezultatin (13-17), por nuk arriti të përmbysë epërsinë. Në dhjetëminutëshin e fundit, Trepça menaxhoi mirë lojën dhe fitoi edhe këtë periudhë 25-24, për të vulosur fitoren e parë në seri.
Te Trepça u dallua Drilon Hajrizi me 17 pikë, ndërsa u mbështet nga Payne dhe Jones me nga 13 pikë secili.
Në anën tjetër, për Pejën spikati Dardan Berisha me 19 pikë, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen.

