Seanca për zgjedhjen e presidentit është ndërprerë dhe do të vazhdojë nesër në orën 10:00.
Në raundin e parë të votimit morën pjesë 64 deputetë. Kandidatja Feride Rushiti siguroi 63 vota, ndërsa një votë rezultoi e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk arriti të marrë asnjë votë.
Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, njoftoi se vazhdimi i seancës do të bëhet nesër në mëngjes, duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë.
Sonte deputetët e opozitës munguan në sallë, për çka edhe nuk pati korum.
Nis numërimi i votave për dy kandidatet për presidente
(E përditësuar, 21:57) Ka mbaruar procesi i votimit të dy kandidateve për presidente, Feride Rushiti e Hatixhe Hoxha. Deputetët kanë nisur me procesin e numërimit të votave.
(21:36) Nis votimi për president, opozita nuk është prezente në sallë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur procesin e votimit për dy kandidatet e nominuara për presidente, Feride Rushiti e Hatixhe Hoxha.
Në sallë vazhdojnë të jenë 64 deputetë gjithsej, teksa partitë opozitare mungojnë që nga fillimi i seancës.
Seanca e Kuvendit, Rushiti e Hoxha kandidate për presidente
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thirrur një nga një emrat e deputetëve të cilët po mungojnë në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit.
Ajo ka lexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe u ka kërkuar grupeve parlamentare që mungojnë në sallë të kthehen dhe të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, duke theksuar se deputetët duhet të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre kushtetuese.
“Para fillimit të seancës, i ftoj grupet parlamentare që nuk janë të pranishme të kthehen dhe të jenë në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese”, ka deklaruar Haxhiu.
“Komisioni konstaton unanimisht se kandidatet e dominuar për president, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, i plotësojnë kushtet e parapara me dispozitat e Kushtetutës dhe ligjit, prandaj mund të procedohet me votimin e kandidatëve”, tha nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, Vigan Qorrolli.

